Merkel: Nuk do të ketë zgjidhje për emigracionin në samit
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se një zgjidhje në shkallë të gjerë për çështjen e emigracionit në Bashkimin Evropian nuk do të arrihet dot në takimin e nivelit të lartë të kësaj jave dhe theksoi se ajo do të vazhdojë të përpiqet për arritjen e marrëveshjeve dypalëshe.
Ajo i bëri komentet në një konferencë shtypi me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez në Berlin.
Kancelarja Merkel tha se deri të premten nuk do të ketë zgjidhje për të gjithë paketën e azilantëve:
“Na duhet ende kohë për ta zgjidhur këtë dhe për këtë arsye fola për të punuar me vendet që janë të gatshme në të gjitha dimensionet e politikës së migrimit. Kryeministri spanjoll foli për dimensionin e jashtëm ndërsa unë për dimensionin e brendshëm dhe do të kemi bisedime të mëtejshme gjatë ditëve në vijim.”
Nga ana e tij, Kryeministri spanjoll Sanchez tha se vendet e Bashkimit Evropian duhet të ndajnë barrën midis tyre dhe bëri thirrje për një qasje të përbashkët:
“Ne do të shkojmë në këtë takim të nivelit të lartë në fund të javës me një qëndrim shumë konstruktiv. E vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur emigracionit është përmes një qasjeje të përbashkët evropiane,” tha zoti Sanchez.
Takimi Merkel-Sanchez vjen ndërkohë që disa grupe kryesore industriale gjermane i kanë bërë thirrje partive të koalicionit në Gjermani të zgjidhin mosmarrëveshjet për politikën e migracionit, duke thënë se grindjet kërcënojnë të minojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë më të madhe të Bashkimit Evropian.
Zonja Merkel, kancelare prej 13 vjetësh, është nën trysni për të arritur një marrëveshje në takimin e udhëheqësve evropiane më 28 dhe 29 qershor, për të garantuar se aleati i saj konservator bavarez Bashkimi Kristian Social do të qëndrojë në koalicion.
Ndërkaq, vetë udhëheqësit evropianë nuk bien dakord për çështjen se si do të ndahet barra e imigrantëve mes vendeve të tyre si dhe në aspekte të tjera.
Sot Italia njoftoi se një anije shpëtimi me 234 emigrantë që kishte mbetur në Mesdhe, do të ankorohet më në fund në Maltë. Fillimisht, Italia dhe Malta kishin refuzuar t’i pranonin imigrantët, mes të cilëve ka edhe fëmijë dhe gra shtatzana. Italia do të marrë një pjesë të tyre.
Fraksion.com