Sport

Mbrëmje drithërimash për Spanjën dhe Portugalinë

Mbrëmja e djeshme dhuroi emocion në kualifikimin dramatik të Spanjës dhe Portugalisë në fazën tjetër të Rusi 2018.

Do të duhej vetëm ndërhyrja e VAR-it, që spanjollëve t’u regjistrohej si i vlefshëm një gol i Iago Aspas në minutën e 3-të shtesë, duke i dhënë kështu mundësinë “La Roja”-s të kualifikohen si të parat në grupin B, duke gjetur përballë në 1/8-at e finave ekipin e Rusisë.

Nga ana tjetër, Portugalia është kualifikuar me vështirësi për në raundin tjetër, pasi barazoi 1-1 me Iranin të cilët në minutën e katërt shtesë kishin mundësinë që të fitonin takimin dhe të nxirrnin jashtë portugezët.

Quaresma shënoi në minutën e 45 të pjesës së parë për Portugalinë, ndërsa Irani barazoi me penallti në minutën e 93, me Ansarifard.
 Cristiano Ronaldo humbi 11-metërsh në minutën e 53, ndërsa rrezikoi të ndëshkohej me karton të kuq për një episod në minutën e 83, por pasi u vëzhgua me VAR, kapiteni portugez u ndëshkua vetëm me të verdhë.