Emigranët: Policë dhe ushtarë austriakë stërviten për t’u mbrojtur nga refugjatët
Disa qindra policë dhe ushtarë austriakë ushtrohen në kufi me Slloveninë për të penguar kalimet e kufirit. Zëvendëskancelari Strache e argumenton këtë me grindjen për azilin në qeverinë gjermane.
Foto: Ministri i Brendshëm Herbert Kickl nga FPÖ pozon para ushtarëve të veshur në mënyrë marciale
Zëvendëskancelari Heinz-Christian Strache, gjithashtu nga FPÖ-ja, i pati thënë më parë gazetës “Bild” se stërvitja është konceptuar si sinjal i qartë se nuk do të ketë një mungesë kontrolli dhe një miratim për të kaluar refugjatët si në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015. Shkak për stërvitjen e gjerë në kufirin me Slloveninë është “debati për mbylljen e kufijve të brendshëm, i shkaktuar nga Gjermania”. Si shkak tjetër ai përmendi “zhvillime aktuale në itineraret e refugjatëve në hapësirën ballkanike”.
CSU-ja në Bavari ka kërkuar në mosmarrëveshjen midis partive unioniste që të arrihet një dakordim evropian deri më 1 korrik, për atë se si do të ndalohet shtegtimi i mëtejshëm i migrantëve brenda BE-së. Përndryshe, ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU) planifikon që t’i dëbojë refugjatët e regjistruar në vende të tjera në kufijtë e Gjermanisë. Ai e ka lënë të hapur se si do ta zbatojë këtë, por Seehoferi e di që ka mbështetjen e qeverisë austriake.
Kancelarja Angela Merkel ka paralajmëruar megjithatë për rrezikun e veprimeve unilaterale nacionale dhe po përpiqet për një zgjidhje evropiane./DW
Fraksion.com