AktualitetBota+Të fundit

BE – Kina: Grup pune për reformimin e sistemit global të tregtisë

Ndërsa Uashingtoni dhe Pekini po i afrohen një lufte të mundshme tregtare, Bashkimi Europian dhe Kina kanë rënë dakort të krijojnë një grup pune për të nxitur reformimin e Organizatës Botërore të Tregtisë. Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve për të përditësuar sistemin e tregtisë globale dhe për të shmangur kërcënimet në rritje ndaj sistemin tregtar botëror.

Sipas një zyrtari të lartë të BE-së, grupi reformator do të shqyrtonte rrugët për të modernizuar rregulloret dhe për të trajtuar problemin e subvencionimeve shtetërore dhe praktikave të tjera të padrejta tregtare.

Nuk është e qartë se sa i gatshëm do të tregohet Berlini në këtë përpjekje, pasi shumica e ndryshimeve të propozuara nga BE-ja kanë të bëjnë me masat, praktikat dhe politikat e padrejta tregtare që ekzistojnë në Kinë. Janë po këto shqetësime që po e shtyjnë administratën e Presidentit Trump të ngrejë mundësinë e vendosjes së tarifave të rënda për mallrat kineze me një vlerë prej gati 34 miliardë dollarësh.

Administrata Trump njoftoi të hënën se po shqyrton edhe mundësinë e kufizimeve për investimet e huaja në fushën e teknologjisë.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jyrki Katainen, pranoi se përpjekja për të reformuar rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë nuk do të jetë e lehtë. Ai tha se kjo do të kërkojë kohë dhe se Kina do të ketë pikëpamje të ndryshme rreth përparësive.

Por, zoti Katainen shtoi se nëse nuk bëhet asgjë “hapësirat për tregtinë shumëpalëshe do të zhduken”.

Media shtetërore në Kinë i ka paraqitur takimet e ditës së hënë me zyrtarët e BE-së, si një dialog i nivelit të lartë që i paraprin samitit BE – Kinë që do të mbahet muajin e ardhshëm, me synimin për të luftuar “unilateralizmin dhe proteksionizmin”, si dhe për të nxitur globalizimin dhe mbrojtur ekonominë botërore.

Bashkimi Europian kërkon që reformimi të trajtojë çështje si subvencionimet industriale dhe praktikat e padrejta tregtare, si transferimi i detyruar i teknologjisë në shkëmbim të qasjes në treg.

“Këto dy çështje së bashku janë disa prej arsyeve, jo të vetmet por disa prej arsyeve, pse presidenti i Shteteve të Bashkuara po ndërmerr veprime unilaterale”, tha zoti Katainen, duke shtuar se kjo çështje duhet zgjidhur në një mënyrë të rregullt.

Idea kryesore është që të përditësohet OBT-ja në mënyrë që të jetë më e përshtatshme për realitetet e botës moderne, tha ai.

“BE-ja nuk po merr anën e asnjë pale apo vendi; e vetmja anë që ne mbajmë është ajo e tregtisë së bazuar në rregulla”, tha zoti Katainen.

Mediat kineze e kanë paraqitur këtë përpjekje si një tregues se masat tregtare të Uashingtonit po krijojnë një front të bashkuar mes BE-së dhe Kinës.

 

Fraksion.com