AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

BE, hapja e bisedimeve me Shqipërinë në Qershor 2019

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, arritën të martën mbrëma një formulë kompromisi që sheshoi dhe kundërshtitë e vendeve skeptike, duke përcaktuar Qershorin e 2019 si një datë të mundshme për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, të kushtëzuar me përparimin e saj në disa fusha. “Vendet anëtare ranë dakord për t’i hapur rrugën Shqipërisë dhe Maqedonisë drejt çeljes së bisedimeve në Qershor 2019. Në Qershor 2019, vendet anëtare do të vlerësojnë, bazuar dhe në raportin e Komisionit europian, përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, përcaktohet në vendimin e marrë sot në mbrëmje, ku theksohet se “çelja e mundshme e bisedimeve me konferencën e parë ndërqeveritare në Qershor 2019 dhe hapja e kapitujve të bisedimeve deri në fund të 2019 do të duhet të marrë miratimin e vendeve anëtare”.

Vendimi erdhi pas debateve të gjata mes vendeve anëtare në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme i cili u mblodh në Luksemburg, ku disa vende kërkonin shtyrjen pa afat të procesit. Në përfundim të pjesës së parë të mbledhjes, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias tha se “ka dy grupime. Njëri që përfaqëson shumicën, me 25 vende që mbështesin hapjen e bisedimeve deri në verën e 2019, dhe tre vende të tjera, Franca, Danimarka dhe Hollanda që mendojnë se duhet të shtyjmë të gjithë procesin. Por të shtysh këtë proces europian do të thotë që të shtysh stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, u shpreh ai.

Qëndrimi i Francës është ndikuar nga një sërë faktorësh. Nga një anë janë ato që lidhen me situatën e brendshme, duke qenë se gati gjysma e forcave politike franceze dhe shumica dërrmuese e opinionit publik, janë kundër idesë së zgjerimit. Nga ana tjetër, ideja e presidentit Emmanuel Macron e shpallur si objektiv nga ana e tij, është ajo e reformimit të vetë BE-së, përpara zgjerimit të saj. Por ministri i Jashtëm grek u shpreh se “unë e di që ka vende që i druhen populizmit, por nuk mundet ta luftosh dhe të fitosh ndaj populizmit, duke bërë hapa pas”, tha ai duke shtuar se “mund të ecim paralelisht si me zgjerimin ashtu dhe me reformimin e BE-së”.

Përpara nisjes së takimit Ministri i Jashtëm hollandez Stef Blok përsëriti qëndrimin hezitues të vendit të tij. “Dy vendet kanë bërë progres por jo mjaftueshëm, duhen rezultate konkrete për korrupsionin.E rëndësishme është që të dy vendet kanë treguar këmbëngulje në luftën kundër korrupsionit por duhet të shohim më shumë. Ne mbështesim progresin që kanë bërë por nuk mund të injorojmë faktin që duhet të shohim rezultate konkrete”, u shpreh ai.

Nga ana e saj Gjermania u shpreh në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe i bën thirrje Francës dhe Hollandës që të bashkohen me pjesën tjetër të vendeve anëtare që ndajnë të njejtin qëndrim. “Demokracia dhe paqja e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor luajnë një rol të rëndësishëm për të gjithë ne në BE, kjo është arsyeja që vlerësojmë shumë përpjekjet e të dy shteteve për të forcuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit”, tha zoti Roth, duke shtuar se “Qeveria gjermane është gati të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, jemi gati të japim dritën jeshile dhe dua të inkurajoj miqtë tanë holandeze dhe francezë të na bashkohen”.

Thirrje drejtuar vendeve anëtare në favor të hapjes së bisedimeve, drejtuan sot dhe 11 eurodeputetë, relatorë dhe drejtues të delegacioneve të parlamentit europian për marrëdhëniet me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. “Nxisim udhëheqësit europianë të dëshmojnë angazhimin e tyre të qartë ndaj perspektivës europiane të të gjithë rajonit të Ballkanit, duke miratuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Tiranën dhe Shkupin”, shkruhet në letrën drejtuar Presidentit të Këshillir europian Donald Tusk. Duke vënë në dukej faktin se “të dy vendet kanë plotësuar kushtet e kërkuara, siç nënvizon Komisioni europian dhe Parlamenti europian”, eurodeputetët theksojnë se “BE duhet të mbetet një partner i besueshëm. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e lidhur me BE-në dhe Bashkimi europian nuk duhet t’i zhgënjejë”

 

Fraksion.com