Bashkimi Evropian: Emigracioni dhe frika e përçarjes
Bashkimi Evropian po përgatitet për një takim të ngutshëm dy-ditor të nivelit të lartë që fillon të enjten në Bruksel, ndërkohë që dallimet për politikën e emigracionit kërcënojnë ta zhysin bllokun në përçarje.
Dallimet dolën në pah sidomos të martën, kur një anijeje mallrash që kishte shpëtuar më shumë se 100 emigrantë nga Libia iu dha leja për t’u ankoruar në portin sicilian të Pocalos, pasi kishte qëndruar katër ditë në det. Fillimisht, Italia nuk pranoi ta lejonte anijen. Kryebashkiaku i qytetit tha se i kishte kërkuar drejtpërsëdrejti ndihmë qeverisë italiane.
“Meqenëse vonesa mund të ketë pasoja në nivel humanitar, unë i bëra thirrje Ministrit të Brendshëm italian Matteo Salvini, i cili sot vendosi të lejojë migrantët të zbresin”, u tha gazetarëve të martën kryebashkiaku i Pocalos, Roberto Ammatuna.
Matteo Salvini, kreu i Lega-s, partia e së djathtës ekstreme, që bën pjesë në qeverinë e koalicionit bashkë me Lëvizjen e Pesë Yjeve, po udhëheq një lëvizje populiste panevropiane për të ashpërsuar ligjet e azilit dhe të emigracionit në Evropë. Zoti Salvini vizitoi të hënën Libinë për të diskutuar mbi propozimet me homologët e tij në Tripoli dhe përsëriti kërkesat e Romës: bllokimin e anijeve të emigrantëve dhe anijeve të shpëtimit, ndarjen e kuotave migrante në të gjithë Bashkimin Evropian dhe ngritjen e qendrave të azilit në Afrikë. Libia ka refuzuar të organizojë qendra të tilla në territorin e saj.
Qëndrimi italian i vijës së ashpër kërcënon të shkaktojë një përçarje të madhe me aleatët e BE-së, thotë analistja Heather Grabbe, drejtore e Institutit të Politikave Europiane të Shoqërisë së Hapur.
“Tani, Salvini në veçanti, do të dëshironte një dështim të madh në nivelin e BE-së, sepse kjo do t’i shkonte për shtat ideve të paraqitura prej tij rreth Evropës dhe migracionit, rreth vetë Italisë dhe elitave politike. Sepse kjo është pikërisht ajo që kërkon ai,” i tha Grabbe Zërit të Amerikës.
Përpjekja për ta mbajtur Bashkimin Evropian të bashkuar buron nga vetë thelbi politik tradicional i Evropës, që është aleanca franko-gjermane. E përballur me presionet e brendshme për emigracionin, kancelarja gjermane Angela Merkel thirri në Bruksel një takim urgjent mbi këtë çështje. Pjesërisht, takimi shërbeu për të nxjerrë në pah ndarjet e Evropës, pasi u bojkotua nga disa vende lindore të BE-së që refuzojnë të pranojnë kuota për refugjatët që u kërkohet të marrin.
“Në të vërtetë, migrimi është shumë më pak problem këtë vit se sa ka qenë vitin e kaluar, pasi numri i migrantëve që hyjnë në Bashkimin Evropian ka rënë përgjysmë. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë asgjë. Në fakt, BE-ja duhet të ketë një qasje shumë më gjithëpërfshirëse”, thotë zonja Grabbe.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka qenë shumë kritik ndaj qasjes italiane, duke i tensionuar marrëdhëniet midis Parisit dhe Romës. Presidenti Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte ishin të martën në Vatikan për një takim me Papa Françeskun.
Franca po përpiqet që vendet anëtare të BE-së të trajtojnë çështje të tjera të ngutshme në samitin e kësaj fundjave, duke përfshirë reformën e Eurozonës dhe të ardhmen e mbrojtjes evropiane, pasi po rriten shqetësimet mbi angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s. Nëntë vende të BE-së nënshkruan këtë javë marrëveshjen për një forcë të përbashkët ushtarake evropiane për dislokim të shpejtë në kohë krize.
Britania ofroi mbështetjen e saj për këtë forcë, me shpresën për të ruajtur marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes ndërkohë që do të largohet nga blloku. Përparimi rreth të ashtuquajturave bisedime për Brexit-in kanë ngecur, duke ngritur shqetësimet se Britania mund të largohet nga BE-ja marsin e ardhshëm pa një marrëveshje.
Në fjalimin për gjendjen e BE-së, shtatorin e kaluar, Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker foli për “erën që shtyn përpara velat e anijes evropiane.” Tani, nëntë muaj më vonë, në horizont po grumbullohen retë e stuhisë, të cilat kërcënojnë përsëri ta fundosin unitetin evropian dhe, madje disa mendojnë, edhe vetë Bashkimin Evropian.
Fraksion.com