AktualitetBota+Të fundit

Raport: Mediet tradicionale përgjegjëset kryesore të lajmeve të rreme

Lajmet e rreme prodhohet nga mediat tradicionale. Ky ka qenë një nga konkluzionet e studimit të ‘Digital News Report 2018‘, publikuar nga Reuters.

Sipas këtij hulumtimi ku janë anketuar online gjithsej 74 mijë persona në 37 vende të botës, 75 për qind e audiencës beson se përgjegjësia kryesore është e botuesve të medies kryesore, që botojnë këtë informacione që shpesh herë janë të rreme ose të pabesueshme. Megjithëse i bëjnë përgjegjëse, prirja e qytetarëve është që t’u besojnë më shumë një medie me traditë se një portali të sapokrijuar.

Raporti nënvizon se televezionet tradicionale mbetet ende një burim kryesor, por trendi në rënie i audiencës ‘ngre pikëpyetje rreth të ardhmes së televizioneve publike e private dhe aftësisë së tyre për të tërhequr audiencat e gjeneratës tjetër’.

Në këtë studim evidentohet dhe një trend në rënie të përdorimit të medieve sociale, fenomen ky që shënohet për herë të parë në dekadën e fundit. Në raport theksohet rënia me 6 për qind në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në Britani të Madhe dhe Francë. Por paralelisht me këtë statistikë, kërkimi i Institutit Reuters ka evidentuar se kjo është shënuar me një rritje të shpërndarjeve të lajmeve në aplikacione, përfshi dhe WhatsApp, Viber dhe Messenger.

Në konkluzionet e anketimi janë përfshirë për herë të parë edhe gjetje mbi besueshmërinë e emrit mediatik dhe leximit të lajmeve.

Gjetje të sondazhit në 37 vende të botës

1.Rreth 44 për qind e personave të pyetur në vendet e marra në shqyrtim shprehen se besojnë mediat që ndjekin vetë. Ndërkaq, 34 për qind e të anketuarve përgjigjen se ata besojnë lajmet të cilat i gjejnë në motorët e kërkimit dhe më pak se 23 për qind e tyre thekson se besojnë informacionet që i aksesojnë nga rrjetet sociale.

2. Më shumë se 54 për qind e të anketuarve shprehen se ata janë të shqetësuar për informacionet e vërteta ose të rreme në internet. Ky shqetësim është më i madh në Brazil me 85 për qind, Spanjë me 69 për qind dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 64 për qind. Në këto vende situata politike është e polarizuar dhe përdorimi i rrjeteve sociale është relativisht i madh. Ndërkohë në Gjermani është 37 për qind dhe në Holandë me 30 për qind, ku së fundi janë mbajtur edhe zgjedhjet, shqetësimi mbi lajmet e rreme ka qenë në nivele të ulta.

3.Pjesa dërrmuese e të anketuarve besojnë se botuesit, apo 75 për qind dhe platformat mediatike me 71 për qind, kanë përgjegjësinë kryesore për të zgjidhur problematikën me lajmet e rreme ose ato të pabesueshme. Sipas tyre, pjesa dërrmuese e lajmeve që kanë problematika të tilla publikohen nga mediat kryesore krahasuar me informacionet e publikuara dhe shpërndara nga kompanitë, bizneset dhe mediat e reja.

4. Opinioni publik në Evropë me 60 për qind dhe në Azi me 63 për qind beson se qeveritë e vendeve respektive duhet të marrin masa për të parandaluar fenomenin e lajmit të rremë. Ndryshe ndodh me qytetarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vetëm 41 për qind mendojnë se kjo përgjegjësi i takon qeverisë.

5. Për herë të parë kërkuesit kanë arritur të nxjerrin një statistikë nga personat që kanë ndjekur kurset e leximit të lajmit. Ata që kanë një edukim më të madh mbi dekriptimin e lajmeve preferojnë më shumë gazetat e mëdha në raport me lajmet televizive. Gjithashtu, këta persona kanë një qasje tjetër ndaj lajmeve të cilat i marrin prej rrjeteve sociale krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë.

6 Në një kohë kur Facebook po përpiqet të përfshijë në algoritmin e tij një metodë anketimi për të kuptuar besueshmërinë e kompanive mediatike, në këtë raport janë publikuar mediat më të besueshme në 37 shtete. Raporti evidenton se qytetarët edhe pse i bëjnë përgjegjëse për fenomenet e fundit, kanë prirje ti besojnë më shumë mediave me një traditë transmetimi krahasuar me ato që kanë marrë famë të menjëhershme ose të mediat e krijuara së fundi në internet.

7. Aplikacionet e kompanive mediatike, e-mailët  dhe njoftimet në telefon janë kthyer gjithnjë e më shumë të rëndësishme. Por në disa vende, lexuesit po ankohen se janë bombarduar me shumë mesazhe.

8. Në disa vende mesatarja e personave që paguajnë për lajmet online ka ardhur në rritje. Statistikat më të larta vijnë nga Norvegjia me 4 për qind rritje, Suedia me 6 për qind dhe Finlanda me 4 për qind. Në vendet e sipërpërmendura numri i botuesve dhe mediave është i vogël dhe pjesa dërrmuese e tyre aplikojnë strategji për lajmet me pagesë. Por në tregjet më të komplikuara dhe me shumë media, informacioni ofrohet falas.

9. Shqetësimet mbi privatësinë kanë ardhur gjithnjë e më shumë në rritje dhe këtë e tregojnë dhe aplikimet e programeve që bllokojnë reklama (ad-blocking software). Më shumë se një e katërta apo 27 për qind e të anketuarve i përdorin këto programe në çdo pajisje. Vendi që i aplikon më shumë këto programe është Greqia me 42 për qind, ndërsa ai që i përdor më pak është Koreja e Jugut me 13 për qind.

10. Televizioni vijon të mbetet një burim kritikë për shumë të anketuar. Megjithatë rëniet e audiencës të shënuara vitet e fundit ngrenë pikëpyetje rreth të ardhmes së televizioneve publike e private dhe aftësisë së tyre për të tërhequr audiencat e gjeneratës tjetër.

11. Ndryshe nga sa flitet teorikisht audiencat mbeten ngurruese për të konsumuar video-lajme në uebsite dhe aplikacione. Më shumë se gjysma e të anketuarve i konsumojnë video-lajmet në Facebook ose YouTube. Amerikanët dhe Evropianët preferojnë gjithnjë e më pak video-lajme, ndërsa audiencat në Azi kanë një prirje të kundërt.

12. Materialet audio po bëhen gjithnjë e më shumë popullore në botë për shkak të përmbajtjes së tyre dhe lehtësisë në shpërndarje. Ato janë shumë popullore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 33% gati dyfish krahasuar me Britaninë e Madhe me 18 për qind. Audiencat e reja në moshë janë më shumë të prirur për të përdorur podcastet sesa të dëgjojnë radio.

13. Asistentët zanor dixhital si Amazon Echo dhe Google Home po përdoren gjithnjë e më shumë. Qasja për to është dyfishuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani dhe Britani të Madhe. Përllogaritet se gjysma e këtyre audiencave i përdorin këto lexues për lajme dhe informacion.

 

Fraksion.com