Merkel dhe Macron në Bruksel: Shtetet e BE-së ta ndihmojnë njëra-tjetrën
Kancelarja Merkel kërkon në Bruksel që shtete të veçanta ta ndihmojnë njëra-tjetrën, pa pritur gjithë bashkësinë. Spanja dhe Franca duan t’i strehojnë refugjatët në kampe të mbyllura.
Me idenë për të mos pritur dakordimin njëzëri të 28 shteteve të BE për çështje të caktuara, me sa duket kancelarja po vë në zbatim propozimin e Gjermanisë dhe Francës, që për të miratuar vendime të caktuara në BE të mjaftojë një shumicë votash. Synimi është që BE të mos bllokohet.
Edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron e mbështeti sot idenë e kancelares për të vendosur me shumicë votash. Nëse nuk arrihet marrëveshje me të 28 anëtarët, një grup më i vogël mund të përparojë me trajtimin e kësaj teme. Por çdo zgjidhje për imigrimin duhet të bazohet në të drejtat e njeriut dhe parimet e solidaritetit, ku mbështetet BE, tha Macroni në Bruksel.
Kampe të mbyllura?
Në prag të takimit të djeshëm të jashtëzakonshëm për politikën ndaj refugjatëve, Franca dhe Italia janë shprehur për ngritjen e katmpeve të mbyllura, në territorin e BE. Sapo mbërrijnë refugjatët, ata duhet të strehohen në “qendra të mbyllura”, u bë e ditur pas takimit dje në Paris të kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Presidenti francez Macron tha se këto qendra do të respektonin kërkesat e Organizatës për Refugjatët të OKB-së, UNHCR. Më tej ai kërkoi “solidaritet financiar” midis shteteve të BE, në mënyrë që kërkesat për azil të përpunohen sa më shpejt. Azilkërkuesit e refuzuar, sipas Macronit, duhet të kthehen në atdheun e tyre dhe “në asnjë mënyrë në vende tranzit”. Sipas revistës Spiegel, njëkohësisht Macroni kërkoi solidaritet evropian për pranimin e atyre refugjatëve që kanë të drejtë për azil.
Strehime të mbyllyra për refugjatët deri tani janë përjashtime, pak prej tyre UNHCR i mban në Greqi dhe në Itali. Franca dhe Spanja kërkojnë që këto strehime të ngrihen në vendin, i cili “është më pranë vendit të mbërritjes së refugjatëve” brenda BE. “Kjo është një zgjidhje bashkëpunuese dhe që e respekton të drejtën”, tha Macron.
Synimi është kompromisi
Në samitin e sotëm të jashtëzakonshëm për çështjet e azilit, që ka filluar pasdite në Bruksel, marrin pjesë 16 shtete të BE, por jo 12 shtete dhe ndër to jo shtetet e grupit të Vishegradit. Takimi mbahet me kërkesën e Gjermanisë, e cila synon ta zgjidhë me marrëveshje bilaterale me shtetet e tjera rikthimin e refugjatëve në vendin ku janë regjistruar fillimisht.
Por përballë qëndrimit të paepur të qeverisë së re italiane, shpresat e Gjermanisë, sipas Spiegel-it, bazohen si edhe herë të tjera tek pagimi i parave. E përfytyrueshme konsiderohet për shembull që Gjermania të paguajë më shumë para në një buxhet të BE për Libinë, kërkesë e hershme e Italisë. Takimi i sotëm synon të arrijë kompromise, jo zgjidhje. Italia bëri të ditur se do të paraqesë një propozim të ri për migrimin./DW
Fraksion.com