AktualitetEkonomiTë fundit

Frutat dhe perimet, ndër dhjetë artikujt më të importuar në janar-mars 2018

Frutat dhe perimet u klasifikuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si një ndër 10 mallrat më të importuar në vend gjatë tremujorit të parë të vitit 2018.

Sipas të dhënave zyrtare, frutat dhe perimet u renditën të nëntat në radhë në listën e 20 mallrave të importuara nga jashtë. Nga zhdoganimi i tyre, doganat kanë arkëtuar 738 milionë lekë të ardhura 5,5 milionë euro. Edhe pse prodhimet e frutave dhe perimeve në vend po vijnë në rritje, ato nuk po plotësojnë ende hendekun në tregun vendas dhe sidomos në prodhimin vendas shkruan Monitor.

Deficiti në tregtinë me jashtë të fruta-perimeve zakonisht është i lartë në tremujorin e parë të çdo viti për shkak se ende nuk kanë dalë në treg prodhimet e stinës, teksa shihet se importet në këtë periudhë vijnë nga vendet mesdhetare të tilla si Greqia dhe Italia.
Më 2017, për herë të parë që nga liberalizimi i tregtisë me jashtë, eksportet e fruta-perimeve ishin 14% më të larta se importet e këtij grupi.

Sipas INSTAT, eksportet e frutave dhe zarzavateve arritën në 9.6 miliardë lekë me një rritje 21% nga viti 2016. Ndërsa importet arritën në 8.3 miliardë lekë me një rritje prej 0.2% kundrejt vitit 2016. Si importet dhe eksportet kanë ardhur në rritje që nga viti 2012, por shitjet jashtë vendit janë rritur me ritme më të shpejta.
Produkti më i importuar në tremujorin e parë ishin karburantet, të cilat kontribuuan me 8.4 miliardë lekë taksa në arkën e doganave ose në 23 për qind të te ardhurave doganore.

Produkti i dytë më i importuar për nga vlera ishin cigaret, prej të cilave u mblodhën rreth 5 miliardë leka taksa në tremujorin e parë të 2018 ose me 13.8% të të ardhurave doganore gjithsej për periudhën.
Më tej artikujt më të importuar në bazë të vlerës ishin automjetet e metalet bazë, automjetet e përdorura, produktet e plastikës, veshjet, energji elektrike.

 

Fraksion.com