AktualitetKosovaTë fundit

Daçiq: Për çfarë anëtarësimi flet Kosova kur s’ka vota e s’e njohin pesë vende të BE-së

Ai në një konferencë për media në Bruksel ku sot është mbajtur takimi i parë i asaj që po konsiderohet faza e re dhe e fundit e dialogut Kosovës-Serbi, ka pranuar se bisedimet janë të vështira dhe se dallimet e qëndrimit të palëve janë të mëdha.

Sipas tij, zgjidhjet e përhershme do të mund të ndihmojnë jo vetëm për pajtim, por edhe për paqen dhe stabilitetin, por edhe zhvillimin ekonomik dhe integrimet evropiane.

“Ne dëshirojmë të gjendet zgjidhja afatgjate, e cila bazohet në kompromis, i cili është i vështirë”, tha Daçiq duke mos specifikuar se çfarë nënkupton me kompromis si zgjidhje e problemit.

Daçiq tha se Beogradi në Bruksel mbron interesat shtetërore dhe nuk do të pranojë kurrfarë ultimatumesh, ndërsa shtoi se pala kosovare nuk dëshiron kompromis.

“Nuk më takon mua të flas për këtë, por ne duam të kemi marrëveshje të duhur për të dyja palët. Njohja e Kosovës nga Serbia nuk vlen. Çfarë duhet Serbia nëse keni zgjidhur gjithçka? Unë thjesht nuk e di se ku Prishtina do të anëtarësohet, në cilën organizatë ndërkombëtare, kur nuk keni vota të mjaftueshme dhe si do të bëjë përparim në integrimet e BE-së, kur pesë anëtarë të BE-së nuk e njohin Kosovën”, tha Daçiq.

 

Fraksion.com