Çmimi i Madh i Francës, Vettel-Raikkonen mbajnë shpresat te strategjia
Sebastian Vettel mbetet ende me besim të lartë përpara garës së kësaj të diele në Çmimin e Madh të Francës, edhe pse nuk shkoi më larg sesa vendi i tretë në provat zyrtare për “pole position”.
Edhe pse pranon se nuk ka zhvilluar një nga provat më të mira zyrtare në karrierën e tij, Seb tentoi të rikuperonte diçka për të zënë vendin e dytë, por Bottas nuk ia dha mundësinë të gëzonte, pasi edhe ai ishte po aq i shpejtë sa britaniku Hamilton, që mori “pole position”-in.
“Megjithatë jam i qetë, kemi një strategji të ndryshme nga Mercedesi për garën, kështu që le të shohim sesi do të shkojë”, tha Vettel.
Ndërkohë, për finlandezin Kimi Raikkonen u regjistrua një tjetër ditë e komplikuar, gjë që e bëri të shfaqej i zhgënjyer në fund të provave zyrtare. “Nuk arritëm të bëjmë një xhiro të mirë”, tha ai.
“Nuk dolëm mirë, problemi në fakt është që nuk arritëm të bënim xhiron perfekte, ndoshta edhe për shkak të asfaltit. Megjithatë, kemi shpresë se mund të na ndihmojë strategjia për garën”, theksoi “njeriu i akullt” i Formulës 1.
Fraksion.com