AktualitetTë fundit

Studim: Ndikimi i lajmeve të përgatitura nga administrata

Monitorimi tremujor i gjithë mediave shqiptare në versionet e tyre online, zbuloi se mediat kryesore të Tiranës audio-vizive, botime dhe online po përhapin me shpejtësi dhe pa ndonjë verifikim profesional njoftimet e Bashkisë së kryeqytetit.

Autori i studimit, pedagogu i gazetarisë, dr. Elvin Luku, thotë se “pjesa dërrmuese e mediave i publikojnë e transmetojnë njoftimet e Bashkisë pa asnjë filtrim apo editim, duke shtuar mundësinë për propagandë dhe duke zhdukur rolin e gazetarit”.

Vëzhgimi i redaksisë së MediaLook përfshiu 30 mediat më të mëdha tradicionale e të reja në Shqipëri, nga doli se televizionet kryesore transmetojnë afro 65 për qind të pandryshuar lëndën e përcjellë atyre nga zyra e marrëdhënieve publike e bashkisë, së bashku me fotot dhe videot nga i njëjti burim.

Studimi nxori se ndikimi i bashkisë së kryeqytetit është mjaft i madh edhe mbi gazetat kryesore të vendit, derisa ato botojnë njoftimet e saj të pandryshuara në masën mbi 85 për qind.

Pas televizioneve dhe gazetave vijnë edhe portalet kryesore, ku ngjashmëria e lajmeve të tyre me tekstet e përhapura nga bashkia shkon në masën mbi 90 për qind.

Studimi zbuloi po ashtu që çdo veprimtari e Bashkisë së Tiranës, pavarësisht nëse përmbante apo jo informacion me interes të gjerë publik u pasqyrua në të paktën 25 media kryesore të vendit. Në pjesën dërrmuese të lajmeve që publikuan këto media u vu re mungesa e rolit të gazetarit si ndërmjetës midis njoftimeve të bashkisë dhe publikut, për të shmangur propagandën e këtij institucioni.

Gazetarët, thekson studimi i Medialook, me mirëkuptimin dhe mbështetjen e editorëve, luajnë thjesht rolin e transmetuesit të kronikave të parapërgatitura nga bashkia.

Drejtuesit e disa mediave thanë se monitorimi nuk përfshinte edhe shkrime të tjera kritike që ata botonin për punën e bashkisë, ndonëse pranuan punën e pakët që bënin gazetarët për të verifikuar apo pasuruar më tej të dhënat që dilnin nga bashkia.

Transmetimi i materialeve të parapërgatitura nga partitë politike dhe institucionet është bërë tashmë një sëmundje shumëvjecare e mediave shqiptare.

Të paktën 3 fushatat e fundit elektorale u mbizotëruan nga kronikat që përgatitnin partitë në studiot e tyre, ndërsa aktualisht veprimtaritë e qeveritarëve ndiqen nga përherë e më pak gazetarë, sepse kudo ku shkojnë ata janë me regji dhe sinjal transmetimi më vete, për t’ia ofruar të gatshëm çdo stacioni apo medie tradicionale e moderne për ta shumëfishuar nëpër ekrane./Ilirian Agolli/VOA

 

Fraksion.com