AktualitetEkonomiTë fundit

Sinjalet për ecurinë e ekonomisë në muajt e parë të vitit

Java që po lëmë pas ka sjellë zhvillime dinamike dhe statistika, që japin një vështrim paraprak mbi ecurinë e ekonomisë në muajt e parë të këtij viti, që vlerësohen pozitive në drejtim të eksporteve dhe shifrës së afarizimit të ndërmarrjev, shkruan në  përmbledhjen e ngjarjeve ekonomike të javës Monitor.

Të dhënat e tregtisë së jashtme treguan një rigjallërim të eksporteve në maj, pas ngadalësimit të tyre në muajin e mëparshëm. Për 5 mujorin, eksportet u zgjeruan me 18%, e nxitur nga eksportet e  grupit “minerale dhe lëndë djegëse”, që ishin 29 për qind më të larta në 5-mujorin e parë të vitit. Performanca e këtij grupi u ndikua nga rritja e eksporteve të Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend  (Burimet zyrtare nga kompania Bankers pohuan se, gjatë janar-maj 2018, kompania ka eksportuar jashtë vendit 34% më shumë sasi naftë bruto se e njëjta periudhë e vitit të kaluar) dhe eksporti i mineraleve është rritur për shkak të ngritjes së një uzine për pasurimin e bakrit në zonën e Mirditës. Pozitivisht ka ndikuar dhe konjuktura e favorshme ndërkombëtare e çmimeve. Në rritje ishin dhe eksportet e materilave e lëndëve të ndërtimit, me 28%, ku ndikimin kryesor e ka dhënë Kurum, që i është rikthyer aktivitetit të plotë, pas ristrukturimit për efekt falimentimi, një proces që ka rezultuar i suksesshëm. Më e ngadaltë ka qenë rritja e tekstileve dh ekëpucëve, të cilat po vuajnë pasojat e zhvlerësimit të euros.

Kursi i këmbimit. Euro ka pasur një javë të mbarë pas rënies javën e mëparshme, i ndikuar nga deklaratat e Bankës së Shqipërisë se do të ndërhyjë sërish për të neutralizuar efektet sezonale. Euro e nisi javën duke u këmbyer me 125.77 dhe e mbylli në nivelet e 126.09 lekëve. Të premten euro humbi 0.09 lekë, pasi ishte rritur për tre ditë radhazi. Tradicionalisht euro pritet të jetë e dobët për periudhën në vijim, por kjo do të varet dhe nga ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë, e cila ka paralajmëruar që do të jetë aktive në treg këto kohë me tërheqjen e valutës së tepërt.

Të dhënat e Eurostat treguan se  Shqipëria vijoi të ketë të ardhurat dhe konsumin më të ulët ndaj mesatares europiane edhe në vitin 2017, duke mos bërë asnjë përparim vitet e fundit.  Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, të ardhurat mesatare për frymë të shqiptarët  ishin sa 29% e mesatares së Bashkimit Europian, nga 30% që ky tregues ishte një vit më parë. Pas nesh renditet Bosnja me 32%, e cila dikur kishte një tregues më të përkeqësuar se Shqipëria, por që na e kaloi në vitin 2016. Edhe konsumi është më i ulëti në rajon. Për 2017-n, konsumi për frymë llogaritej 37% e Bashkimit Europian, nga 57% që e ka Mali i Zi (më i larti në rajon).

Të dhënat e INSTAT për tregtinë me pakicë, një indikator i konsumit, bënë të ditur se ai mbetet i ndrydhur, megjithatë ka një përmirësim në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndryshimi vjetor i indeksit të tregtisë me pakicë në tremujorin e parë ishte 1.5% nga 1.3% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një tjetër tregues, ai i statistikave afatshkurtra, që është indikatori më i hershëm i prodhimit të brendshëm bruto, tregoi se për tremujorin e parë të vitit prodhuesit e të mirave në vend deklaruar rritje të përgjithshme të shitjeve dhe pagave në tremujorin e parë të këtij viti. Për industrinë indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 5,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Indeksi i shitjeve neto në ndërtim në tremujorin e parë 2018shënoi rritje në volum me 9,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.

Një zhvillim i rëndësishëm i javës ishte kalimi në qeveri i paketës së re fiskale. Vendimi më i rëndësishëm është rritja e pragut për tatim fitimin prej 15%, nga 1 janari 2019. Shkalla e tatimit mbi fitimin është: 15 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej 14.000.001 lekë në vit; 5 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej 14.000.000 lekë në vit. Aktualisht paguhet 15 për qind për tatimin 8.000.001 dhe 5 për qind deri në 8.000.000. Paketa ka dhe lehtësi për TVSH-në për bizneset e agroturizmit.

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar në mbledhjen e së mërkurës 21 vendime që përfshijnë një leje ndërtimi për një kullë 21 kate mbi tokë dhe katër nëntokë me orientim shërbime dhe banim (një objekt në rrugën Dervish Hima në kryeqytet), me kompani ndërtuese Gener 2 si dhe miratimin e dy planeve vendore Pukë dhe Mirditë, nismën e Planit Kombëtar Sektorial dhe Planin e Detajuar të Zonës së Rëndësisë Kombëtare në Zonën e Karavastasë, Bashkia e Divjakës. Një tjetër leje është dhënë për shtesë katesh dhe Rikonstruksion fasade për objektin: “Sky Tower”.  Kompania Gjoka që ka marrë të drejtën e ndërtimit të rrugës së Arbrit ka kërkuar lejen e ndërtimit për zbatimin e projektit.

Shifrat e Raportit Vjetor të Situatës së Azilantëve, të publikuar nga Bashkimi Europian tregojnë një situatë alartamnet. Shqipëria vitin e kaluar renditej e shtata për numrin e azilkërkuesve në vlerë absolute, me 26,060 kërkesa për azil. Por, sipas llogarive të Monitor për numrin e azilkërkuesve për herë të parë për 1000 banorë për secilin nga 20 shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute, Shqipëria renditet e para në botë, duke tejkaluar edhe azilkërkuesit që po ikin nga lufta dhe konfliktet, për shkak të popullsisë relativisht të vogël që ajo ka, prej 2.87 milionë banorësh.

 

Zhvillimet e pritshme të javës në vijim

Banka e Shqipërisë do të publikojë 25 qershor, stokun e investimeve të huaja direkte sipas vendit dhe aktivitetit ekonomik. Të dhënat e mëparshme për tremujorin e parë për totalin e investimeve treguan një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte me 62%. Investimet në energji lidhen kryesisht me punimet për gazsjellësin TAP. Burime nga kompania TAP thanë për “Monitor” se në muajt e parë të vitit ka pasur disa investime të mëdha, si ndërtimi i stacionit të kompresorëve në Fier, ku pak ditë më parë u përurua instalimi i turbokompresorëve, janë kryer punime për kalimin e tubave të gazit përmes lumenjve në Skrapar, të cilat janë operacione shumë të kushtueshme, si dhe ndërtimi i një mikrotuneli afër Çorovodës, edhe ky një operacion i kushtueshëm.

Në 26 qershor, INSTAT do të publikojë lëvizjet e shtetasve të huaj, që do të japin një ide mbi ecurinë e turizmit, që deri tani ka qenë mjaft pozitiv.

Në 27 qershor, INSTAT do të publikojë stratistikat e transportit, një tregues indirekt i tregtisë.

Në 29 qershor, Banka e Shqipërisë do të publikojë statistikat e ecurisë së kredive, depozitave, normave të interesit, parasë në qarkullim për muajin maj.

 

Fraksion.com