Opinion: Zgjedhjet turke duhet të sjellin rilindjen e kombit
Zgjedhjet e të dielës në Turqi përbëjnë një moment historik. Këto zgjedhje duhet të çojnë në rilindjen e kombit, që është i gatshëm të shërojë plagët e veta, shkruan Seda Serdar.
Sondazhet e fundit nga instituti Gezici për studimin e opinionit publik tregojnë se partia e presidentit Erdogan, për Drejtësi dhe Prosperitet (AKP) do të humbasë shumicën në parlament dhe zgjedhjet presidenciale do të përfundojnë në një raund të dytë. Sipas sondazheve Erdogan do të marrë 48 përqind të votave dhe konkurrenti i tij më i fortë, socialdemokrati Muharrem Ince nga Partia Republikane e Popullit, (CHP), duket i vendosur të përballohet me sfidën.
Gatishmëri për fillim të ri
Por sa të besueshme janë sondazhet? Nuk janë shumë të besueshme, nëse shohim përvojën nga e kaluara. Për më tepër numri i zgjedhësve që nuk kanë vendosur ende kujt t’ia japin votën është shumë i madh kësaj here. Dhe atmosfera e frikës e krijuar prej Erdoganit i ka bërë shumë zgjedhës që të mos thonë të vërtetën për pyetjen se kujt mendojnë t’ ia japin votën.
Nuk ka asnjë rëndësi çfarë thonë sondazhet, sepse Turqia është e gatshme për një fillim të ri. Opozita ka zhvilluar një fushatë të suksesshme me kandidatë të fortë. Mbase fushata më efektive e zhvilluar në 16 vjetët e fundit. Kandidati kryesor i CHP, Ince është i aftë ta kthejë retorikën e Erdoganit në boomerang. Meral Aksener — ish ministre e Brendshëm dhe drejtuese e partisë kemaliste të riformuar, partisë IYI, është duke i shkatërruar zotimet e bëra me zë të lartë në fushatën e Erdoganit. Dhe Selahattin Demirtas, udhëheqësi i burgosur i partisë prokurde HDP, ka refuzuar të respektojë rregullat e burgut, duke pushtuar mediat sociale turke me tweets të mençur dhe me humor. Kjo është duke i dhënë shpresë votuesve, se diçka ka munguar në periudhën e errët dhe shtypëse të AKP.
Zgjedhësit duket se kanë mësuar prej gabimeve të mëparshme. Këtë vit votuesit do të jenë ditën e zgjedhjeve më shumë para kutive të votimit se sa në plazh.
Hapi i parë: zgjedhje të ndershme
Ndryshimet janë në ajër, por që të bëhen realitet duhet të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vëzhguesit dhe opozita është e përgattur. Nëse do të ketë në zgjedhje ndonjë lloj manipulimi, qeveria nuk do ta ketë të lehtë të vazhdojë me to kësaj here. Njerëzit janë të ngopur dhe sistemi aktual nuk është më i qëndrueshëm.
Lira turke ka rënë 50 përqind kundrejt dollarit amerikan në dy vitet e fundit. Pas gjendjes së jashtëzakonshme, investorët e huaj i qëndruan larg Turqisë. Sistemi i drejtësisë ka ngecur. Mijëra vetë kanë humbur punën. Shumë vetë janë arrestuar. Shtypi ka pasur kufizime dhe ajo çfarë ka mbetur nga media e pavarur nuk ka pasur hapësirë për të vepruar.
Një ditë më pas
Rivalë të fortë, fushatë të dobët, ekonomia në rënie dhe dëshira për të bërë ndryshme do e lenë Erdoganin me shance të pakta për të fituar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Opozita do të ndihet e inkurajuar nëse partia e tij AKP, humbet shumicën parlamentare, dhe vota presidenciale do shkojë në raundin e dytë. Megjithë sfidat financiare dhe të politikës së brendshme, çdo udhëheqës i ri do të ketë nevojë të ketë forcë për të përballuar rilindjen e dhimbshme të kombit. /Seda Serdar.DW
Fraksion.com