Nis shthurja fiskale
Intensiteti i lartë i përjashtimeve tatimore, komplikimi i ligjeve fiskale, frenimi i rritjes së arkëtimeve buxhetore, rikthimi i detyrimeve të prapambetura dhe angazhimi i PPP-ve me vlerë 1 miliard euro po rrezikojnë ta çojnë në një trajektore të pasigurt afatgjatë stabilitetin fiskal të vendit.
Përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri Jens Reinke është kundër projektit të qeverisë për taksat dhe PPP-ve: Rreziqet që krijojnë. Ekspertët japin alarmin
Stabiliteti fiskal ka nisur japë shenjat e para të tronditjes. Administrata fiskale nuk po mban ritmet e viteve të shkuara për grumbullimin e të ardhurave, teksa një paketë e re fiskale, e lajmëruar nga qeveria, me përjashtime të reja tatimore, rrezikon të ndërlikojë rezultatet. Nga ana tjetër, gjetja e detyrimeve të prapambetura në vlerën e 205 milionë eurove deri në fund të 2017-s, sipas vlerësimit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe alokimi i një pakete të re koncesionesh, rreth 1 miliard euro, po rrezikojnë stabilitetin afatgjatë të financave publike.
Këto zhvillime janë simptomat e sindromit të mandatit të dytë, kur qeveritë e kanë bërë traditë që të vërshojnë me lehtësi tatimore dhe të mos mbajnë angazhimet që vetë marrin për grumbullimin e të ardhurave dhe ruajtjen e stabilitetit fiskal.
Gjatë janar-prill 2018, të ardhurat buxhetore janë rritur me vetëm 2%. Ky ishte ritmi më i ulët që nga viti 2013, edhe pse ngarkesa fiskale vijoi edhe në fillim të këtij viti, ku pragu i TVSH-së u ul në bizneset me xhiro 2 milionë lekë dhe akciza u rrit më tej për cigaret. Zhvillimet buxhetore së fundmi nuk janë duke shkuar në proporcion të drejtë me disa tregues të tjerë të ekonomisë.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ekonomia vitin e kaluar është rritur me 3.8%, ritmi më i lartë që nga viti 2010. Papunësia, në tremujorin e parë 2018 ishte në nivelin më të ulët të periudhës së tranzicionit. Por këto zhvillime nuk po reflektohen edhe në treguesit e të ardhurave buxhetore, teksa u pa se të ardhurat nga TVSH e brendshme, të cilat reflektojnë qarkullimin e mallrave në ekonomi, janë ulur me 0,6% gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti.
Përjashtimet e reja tatimore
Pak ditë më parë, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, lajmëroi nismën për paketën e re fiskale, që synon të rrisë përjashtimet fiskale në disa sektorë. Ndryshimet synojnë shkallëzimin e normës së tatimit mbi fitimin për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë. Norma e tatimit mbi fitimin zbret nga 15% në 5%, ndërsa për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit do të mbetet ajo që ka qenë. Brenda të njëjtit ligj do të krijohen lehtësi për fermerët e përfshirë në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, ndaj të cilëve tatimi mbi fitimin do të reduktohet në 5% nga 15% që është aktualisht. Më herët këtë vit, qeveria përjashtoi pothuajse nga të gjitha taksat ndërtimin e hoteleve me 5 yje dhe të tjera lehtësi për grupe të caktuara.
FMN, kundër, paralajmëron për rreziqet
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ekspertë të njohur të ekonomisë janë duke ndjekur me shqetësim trendin e ri të politikës fiskale. FMN në parim ka qenë gjithnjë kundër përjashtimeve tatmore, pasi ato lënë shteg për evazion.
Jens Reinke, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, tha për “Monitor” se propozimet e fundit për ndryshime në politikën tatimore, që përfshijnë uljen e pragut të TVSH-së, rritjen e pragut përkundrejt një norme më të ulët të tatimit mbi fitimin dhe shtrirjen e trajtimit preferencial në agroturizëm, shkojnë në drejtimin e kundërt.
Rienke thotë se ulja e pragut të TVSH-së krijon barrë të panevojshme administrative për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe krijon kosto të pajtueshmërisë për shumë ndërmarrje, kundrejt një rritje shumë të ulët potenciale në të ardhura.
Ai thekson se rritja e pragut të xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë në vit për aplikimin e normës preferenciale të tatimfitimit mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme të të ardhurave dhe krijon mundësi për shmangien e taksave.
Reinke përsërit qëndrimin e mëparshëm të FMN-së se, përjashtimet dhe normat preferenciale e bëjnë sistemin tatimor më të ndërlikuar dhe shpesh më pak të drejtë. Barra shtesë administrative peshon rëndë në kapacitetin e kufizuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe mund të dëmtojë përpjekjet për të rritur pajtueshmërinë tatimore.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, thotë se, Paketa Fiskale 2019 nuk duhet t’i thellojë këto deformime të sistemit fiskal, por t’i reduktojë ato.
Ish-zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, tani një konsulent i pavarur fiskal, thotë se, edhe në kushtet e një administrimi të mirë përjashtimet tatimore prishin konkurrencën në treg dhe krijojnë gropa fiskale si rrjedhojë e nxitjes së tendencave për shmangie të ligjshme tatimore dhe krijimit të hapësirave për abuzime nga ana e administratës tatimore. Përveç kësaj, po t’ju referohemi sektorëve dhe mekanizmave të përdorur për përjashtimet fiskale, konstatohet se ato synojnë më tepër arritjen e objektivave politiko-elektorale, se sa përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitjen e zhvillimit të sektorëve që përfitojnë prej tyre, thotë Shehu.
Taksat, FMN: Të rritet pragu për TVSH
Politika fiskale shqiptare është bërë e rrëmujshme prej ndryshimeve spontane pa planifikim dhe konsultim. Kohët e fundit, autoritetet shqiptare kanë braktisur edhe këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili jep ekspertizën më profesionale në ligjet e tatimeve dhe taksave. Përfaqësuesi i FMN-së, Jens Reinke, tha se, Fondi e ka këshilluar qeverinë që t’i përqendrojë më mirë përpjekjet për grumbullimin e të ardhurave dhe të thjeshtojë sistemin e taksave.
“Për këtë qëllim, pragjet e TVSH dhe të tatimit mbi fitimin duhet të unifikohen. Pragu i TVSH-së duhet të rritet dhe në këtë mënyrë, ndërmarrjet e vogla nuk përfshihen në raportime të detyrueshme. Normat preferenciale të TVSH-së duhet të shfuqizohen dhe përjashtimet nga TVSH-ja duhet të rishikohen. Një sistem taksash më i thjeshtë dhe më i drejtë do të zvogëlojë kostot e pajtueshmërisë të sektorit privat dhe do të lejojë administratën tatimore që të përqendrojë përpjekjet për një eficencë më të lartë në mbledhjen e të ardhurave”, shtoi ai.
Reinke konsideroi me rëndësi cilësinë e shpenzimeve. “Analiza më e mirë, dhënia përparësi dhe zbatimi i projekteve të investimeve publike do të ndihmojnë Shqipërinë të maksimizojë përfitueshmërinë nga investimet. Ne kemi këshilluar qeverinë që të ndalojë të gjitha propozimet e pakërkuara për PPP-të”, shtoi ai.
Arben Malaj thotë se përballë rreziqeve potenciale makroekonomike të ekonomisë shqiptare, një rritje më e lartë ekonomike i zbeh ato.
Ndërsa ish-zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, thotë se, politikat fiskale duhet të synojnë thjeshtimin e sistemit të tatimeve dhe të taksave dhe uljen e barrës tatimore nëpërmjet uljes së normës tatimore. Shehu thotë se duhet të zbatohet një sistem fiskal që nxit formalizmin dhe ul evazionin fiskal. Për këtë duhet të ulet barra tatimore në tërësi dhe sistemi i normave të shkallëzuar të tatimit mbi fitimin të zëvendësohet me një normë unike tatimore. Mbështetja ekzistuese e bizneseve me norma tatimore zero dhe 5% mbi fitimin duhet të zëvendësohet me vendosjen e një minimum fitimi të patatueshëm.
Detyrimet e prapambetura dhe PPP do të rrisin borxhin
Rikthimi i detyrimeve të prapambetura në vlerën e 205 milionë eurove deri në fund të 2017-s, sipas rishikimit të parë të post- marrëveshjes së FMN-së me qeverinë shqiptare dhe angazhimi i paketës 1 miliard euro nëpërmjet koncesioneve të parkërkuara do të rrezikojnë stabilitetin fiskal afatgjatë.
Jens Reinke thotë se detyrimet e prapambetura janë një formë borxhi dhe duhet të llogariten si të tilla, gjë që nuk aplikohet vazhdimisht në rastin e llogarive të qeverisë shqiptare. Akumulimi i borxheve të panjohura mund të kufizojë aftësinë e qeverisë për të shpenzuar në të ardhmen dhe të dëmtojë qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik. Ai thotë se krijimi i këtyre detyrimeve është rezultat i praktikave të dobëta të menaxhimit të financave publike, kryesisht të kontrollit të angazhimeve.
Risku i detyrimeve të prapambetura duhet reduktuar sa më parë, këshillon Arben Malaj. Sipas tij, kanali kryesor ku këto detyrime ndikojnë jo pozitivisht është rritja ekonomike. Ish-ministri i Financave shpjegon se, mungesa e likuiditeteve është pengesa kryesore për investimet e bizneseve. Këtë krizë likuiditeti, biznesi mund ta zgjidhë ose duke marrë kredi, përgjithësisht overdraft, ose duke reduktuar aktivitetin, çka rrit papunësinë dhe varfërinë.
Ndërsa eksperti Shehu thotë se, detyrimet e fshehta përbëjnë një rrezik për stabilitetin fiskal, sepse do të kufizojnë investimet publike dhe do të shtojnë presionin për rritjen e taksave në vitet e ardhshme. Ky rrezik do të vijë në rritje me fillimin e zbatimit të projektit “1 miliard euro”, i cili është një borxh i fshehtë që biznesi privat do t’i japë qeverisë gjatë 2-3 viteve të ardhshme, shtoi ai/Monitor.
Fraksion.com