AktualitetPolitikëTë fundit

Deti me Greqinë: Mbyllet raundi i tretë

Ministria e për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot për zhvillimin e raundit të dytë të bisedimeve për përcaktimin e zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Takimi mes grupeve të negociatorëve është përmbyllur dje në kryeqytetin grek.

Ashtu si dhe në njoftimet për takimet e mëparshme, edhe këtë herë përmbajtja rreth takimit është e shkurtër duke u mjaftuar me faktin se “takimi ishte konstruktiv dhe u zhvillua në një klimë pozitive, miqësore dhe bashkëpunuese”, ndërsa shtohet se “grupet negociatore do të vazhdojnë të punojnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe në interes të të dyja palëve”.

Zhvillimi i raundit të tretë ishte njoftuar pak ditë më parë nga ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati sipas të cilit bisedimet me Greqinë për marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë janë në një pikë ku ekzistojnë të gjithë mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

“Nga analiza që i kemi bërë këtij procesi mund të thuhet që jemi në një rrugë pa kthim dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët ne ta mbyllim këtë marrëveshje, e cila nuk është e vetmja pikë siç e kam thënë e paketës që ne negociojmë e diskutojmë me palën greke, sepse paketa është shumë me e gjerë se kjo marrëveshje”, deklaroi ministri Bushati cili nuk dha ndonjë afat për përmbylljen e bisedimeve, duke theksuar se “që të dyja palët kanë nevojë për kohën e tyre, në mënyrë që të shkojnë drejt një marrëveshje të pranueshme, të drejtë dhe një marrëveshjeje të zbatueshme”.

Bisedimet zyrtare mes palëve nisën në fund të muajit prill, pas një procesi të gjatë mes Presidencës së Republikës dhe Ministrisë së Jashtme, për marrjen e autorizimit nga kreu i Shtetit.

Marrëveshja e mëparshme e vitit 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në 2010, për shkak se u gjet në shkelje të kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare.

Shqipëria dhe Greqia kanë kaluar një periudhë të gjatë marrëdhëniesh me shumë ulje ngritje.

Asnjëherë më parë, siç ka ndodhur prej më shumë se 5 vitesh, nuk ka patur shkëmbime vizitash në nivel kryeministrash. Dialogu i nisur që vjeshtën e kaluar duket se ka sheshuar shumë çështje, përjashtuar atë çame, divergjencat rreth së cilës mbeten ende të thella.

 

Fraksion.com