AktualitetTë fundit

“Shpërthen” biznesi i OJF-ve: Qeveria numëron 7580 organizata; Bën gati paketë të re fiskale

Organizatat Jofitimprurëse në Shqipëri (OJF) janë shtuar dukshëm vitet e fundit, duke u pesëfishuar në raport me 7 vite më parë, teksa Shqipëria vijon të vuajë nga angazhimi i shoqërisë civile për funksionimin e demokracisë në vend,  sipas Monitor.

Qeveria Shqiptare ka formuluar një strategji për zhvillimin e shoqërisë civile deri më vitin 2022. Sipas dokumentit që është në fazën e konsultimit publik, nga viti 2001 deri më 2017-n, në Shqipëri janë regjistruar 7580 organizata joqeveritare nga autoritetet si shoqata, fondacione ose qendra. Sipas një censusi të INSTAT për ndërmarrjet që është zhvilluar më 2010 u numëruan pak më shumë se 1500 Organizata Joqeveritare.

Dokumenti i qeverisë për OJF-të synon të aplikojë një trajtim të njëjtë si në BE për shoqërinë civile të paktën në rrafshin rregullativ.

Në këtë kuadër OJF -te do të kenë një trajtim fiskal preferencial. Tashmë ekzistojnë standarde të reja kombëtare për kontabilitetin për organizatat jofitimprurëse.

Megjithatë, kuadri rregullator për çështjet fiskale që lidhen me nevojat e OJF-ve duhet të përditësohet, pasi ato në Shqipëri hasin ende sfida në këtë aspekt.

Masat e parashikuara përfshijnë përmirësimin e procedurave aktuale për rimbursimin e TVSh-së në kuadrin e grantit të financuar të Instrumentit për Asistencën para Aderimit (IPA), trajnimin e autoriteteve tatimore, rregullimin e financimit publik për nismat e OSHC-ve, projektet dhe programet si në nivel qendror ashtu dhe lokal, aplikimin e stimujve fiskalë për individët dhe përmirësimin e stimujve për dhurimet e korporatave ndaj OJV-ve.

Finalizimi i akteve nënligjore të ligjit për shërbimet sociale përbën një hap vendimtar drejt forcimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes së organizatave profesionale të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve të kujdesit social në të gjithë vendin.

Ligji i ri për Taksën mbi Vlerën e Shtuar (publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 128, datë 13 gusht 2014) që hyri në fuqi më 1 janar 2015), mund të kishte sqaruar më mirë problematikën e TVSh-së, thuhet në dokumentin e strategjise.

“Megjithatë, klauzolat që lidhen me TVSh-në për OJF-të u zhvlerësuan pothuaj menjëherë nga Udhëzimi i Ministrit të Financave nr. 6, datë 30.01.2015, i cili në vend që të sqaronte procedurat e përjashtimit të OJF-të nga TVSh-ja (bazuar në nenin 3 të ligjit), e ktheu çështjen mbrapa në një vendim të miratuar nga Këshilli i Ministrave në 1996”, thuhet në dokumentin qeveritar.

Kjo kontradiktë do të zgjidhet me qëllim që të rikthehet qartësia e synuar fillimisht me Ligjin për TVSh-në të 13 gushtit 2014. Udhëzimi (nr. 22, datë 19.11.2014, neni 7) i Ministrit të Financave rregullon se si auditohet një OJF.

Sipas këtij akti, çdo zyrë tatimore duhet të ketë inspektorë të trajnuar dhe të specializuar që auditojnë raportet financiare të OJF-ve, duke u fokusuar në burimet financiare, aktivitetet ekonomike që ushtrojnë, burimet dhe përdorimin e fondeve, asetet, etj.

Rrjedhimisht, administrata tatimore do të hartojë një manual auditimi, vetëm për çështjet tatimore të OJF-ve. Përmes trajnimit, administrata tatimore do të zhvillojë kapacitetet e nevojshme për të kuptuar natyrën dhe implikimet fiskale të sektorit të shoqërisë civile. Dokumenti vë në dukje se incentiva të mjaftueshme nevojiten për dhurimet e bamirësisë. Krijimi i mundësisë për të gjithë individët që dhurimet që iu bëjnë OJF-ve të zbriten nga detyrimet tatimore personale të tyre, do të nxiste filantropinë individuale dhe do të kontribuonte në forcimin e qëndrueshmërisë financiare të përpjekjeve për zhvillimin e shoqërisë civile.

Bizneset shqiptare paguajnë tatim fitimi standard. Aktualisht, mund të kërkojnë kthimin e tatimit për dhurimet (klasifikuar si “sponsorizim” biznesi) për OJF-të deri në 4% të të ardhurave të tatueshme. Për sipërmarrësit që paguajnë “tatim biznesi të vogël”, tatimi për dhurimet do të zbritet deri në 1% të të ardhurave të tatueshme.

 

Fraksion.com