AktualitetTë fundit

Raporti europian: Shqipëria me rënien më të madhe të kredive me probleme, por sërish më të larta në rajon

Shqipëria dhe Serbia shënuan përmirësimin më të madh në raportin e kredive me probleme (NPL) të sektorëve të tyre përkatës bankarë, midis 17 vendeve në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) në 12 muaj deri në shtator 2017, sipas një raporti të Vienna Initiative, të Bankës Europiane.

Raportet e NPL në Shqipëri ranë me 6.5 pikë përqindjeje nga viti në vit në fund të shtatorit 2017, dhe në Serbi me 7.3. Sipas raportit, janë shifra që demonstronin një prirje të vazhdueshme rënëse të vëllimeve dhe raporteve të NPL për të gjitha 17 vendet e shqyrtuara.

“Megjithatë, raportet e NPL në të gjithë rajonin mbeten të larta, duke tejkaluar 10% në pesë vende, përkatësisht Shqipërinë (14.8%), Kroacinë (12.3%), Serbinë (12.2%), Bullgarinë (11.6%) dhe Bosnjën dhe Hercegovinën (10.8%)”-thuhet në raportin e Iniciativa e Vjenës.

Gjatë periudhës në shqyrtim, kreditë e këqija në Mal të Zi kanë rënë nën kufirin prej 10%, tregoi raporti.

“Reduktimi i volumit të NPL në të gjithë rajonin u atribuohet kryesisht uljes së stokut të NPL në Poloni, Çeki, Bullgari, Rumani dhe Kroaci”, – citohet në raportin e Iniciativa e Vjenës.

Sipas raportit, vëllimi i NPL në rajonin Evropë Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) ra me 15.9% në periudhën 12-mujore, deri në shtator 2017. Raporti mesatar i NPL për CESEE ishte 5.3%, me 1.4 pikë përqindjeje që nga shtatori 2016.
Vienna Initiative (Iniciativa e Vjenës) është një kuadër për ruajtjen e stabilitetit financiar të Evropës në zhvillim. Ajo u themelua në kulmin e krizës financiare globale në janar 2009. Ajo bashkon të gjithë aktorët relevantë të sektorit publik dhe privat të bankave ndërkufitare me bazë në BE, që janë aktive në Evropën në zhvillim, të cilat zotërojnë shumë prej sektorëve bankarë në atë rajon./Monitor