Rama: Marrëveshja e re për detin do të jetë e drejtë! Mediat greke: A do e japë Meta autorizimin?
Nga Saranda në një dëgjese publikë me pakicat kombëtare, në kuadër të turit të llogaridhënies publike, kryeministri Edi Rama foli për marrëveshjen e detit me Greqinë.
“Ligji i Luftës ishte një pengues, por do të zhbëhet nga parlamenti i Greqisë“, tha Rama
Kryeministri deklaroi se ka pasur tensione për marrëveshjen me Detin. “Greqia e ka njohur si fakt ligjin absurd të luftës dhe ka pranuar ta shfuqizojë. Ne e kemi nisur këtë diskutim, fqinjët tanë thoshin se nuk ekziston, ne kemi traktat miqësie, janë gjëra të së shkuarës, por e vërteta është që është një fakt shumë pengues dhe me pasja juridike sot e gjithë ditën që do zhbëhet nga parlamenti i Greqisë.
Është fakt që kemi trashëguar marrëveshje të papranueshme për detin për të cilën kemi pasur tensione me miqtë tanë në Athinë për shkak se e kemi shprehur qartë që ne nuk e njohim dhe duam marrëveshje të re. Faktikisht kemi bërë progres të jashtëzakonshëm për marrëveshje të re që do jetë e drejtë, e barabartë dhe në respekt reciprok të njëri-tjetri”, tha kryeministri.
Ngritja e kampeve të refugjateve
Kryeministri foli edhe për debatin e hapur ditët e fundit rreth mundësisë së ngritjes së kampeve të refugjateve dhe ardhjes së luftëtarëve të ISIS në Shqipëri.
Ai e quajti një broçkull kozmike.
“Kemi dëgjuar për broçkullën kozmike që do të vijnë 600 mijë luftëtarë të ISIS, të cilët me pushkë në krah do zbresin me avion në Shqipëri. Edhe sikur të çmendet ndonjëri në Europë dhe të bëjë këtë shaka, do buzëqeshim me keqardhje dhe do i sugjerojmë psikolog“, tha Rama
Kreu i qeverisë ironizoi edhe opozitën, duke thënë se Esad Pasha ka gjetur më në fund pasardhësit.
“Esad Pasha ka gjetur më në fund pasardhësit. PO nxisin deputetët e BE kundër negociatave. Marrësia e shitjes së Detit dhe 600 mijë ushtarët e ISIS, nuk na surprizon se kur erdhi Babalja, heroi i luftës kundër krimit, çdo gjë mund të vijë“, tha kryeministri
Negociatat
Kreu i qeverisë u shpreh besimplotë në një vendim pozitiv për hapjen e negociatave, por ai la të nënkuptohet se do të hapen me kushte.
“Kam besim që drita jeshile do ndizet në një mënyrë apo në një tjetër dhe Shqipëria nuk ka kthim pas në këtë proces. Nuk ka proces në rrugëtimin drejt BE pa kushte. Mali i Zi sot negocion dhe ka 94 kushte“, tha Rama.
Mediat greke shkruajnë sot se “Në Rodos, Kotzias e Bushati po vazhdojnë edhe sot me ritme intensive përpjekjet për të mbyllur marrëveshjen, me qëllim që pastaj të ndërmarrin hapin përfundimtar dy kryeministrat, Tsipras e Rama”.
Sipas të njëjtit portal grek, marrëveshja e pritshme mund të perballet me refuzimin e presidentit Ilir Meta për t’i dhënë autorizimin për këtë pakt kryeministrit Rama.
“Por ka edhe nje optimizëm të përmbajtur që presidenti Meta të ndryshojë qëndrim, përballë presionit të faktorit ndërkombëtar”– shkruan media greke
Fraksion.com