Pronat: ATP ndau 550 milionë lekë në 4-muaj; U regjistruan për kompensim 1606 dosje
Agjencia e Trajtimit të Pronave ka shpërndarë për kompensim të ish-pronarëve 550 milionë lekë. Ky fond është rreth 27 për qind më pak sesa fondi fillestar i parashikuar për këtë zë prej 750 milionë lekësh. Referuar raportit të dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë pranë asaj të Financave për ecurinë e realizimit të treguesve rezulton që të jenë vlerësuar plotësisht 1606 dosje vendimesh për regjistrimin përfundimtar për kompensim.
“Objektivi i parë është ‘kryerja e vlerësimit të fondit financiar nga viti 1993 dhe në vijim duke bërë dhe shpërndarjen sipas akteve ligjore dhe nënligjore. Produkti i parë ‘regjistrimi i vendimeve përfundimtare për kompensim’ të 1.606 dosje vendimesh të planifikuara janë realizuar plotësisht. Produkti i dytë për këtë objektiv është ‘numri i vendimeve të ankimuara në gjykatë’ është planifikuar 427 dhe nga vendimet e nxjerra janë ankimuar po aq vendime dhe produkti i tretë “Shpërndarje e fondit fizik dhe financiar’ janë planifikuar 167 subjekte dhe janë realizuar 12, subjektet që kanë përfituar janë ata që kanë aplikuar kërkesë të veçante. Mos realizimi i këtij produktit janë subjektet që përfitojnë kompensim financiar dhe fizik sipas VKM 766/2017 të cilët janë lajmëruar për vazhdimësinë e procedurave sipas VKM dhe shumë subjekteve kanë hequr dorë për të përfituar kompensim” thuhet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.
Po kështu Agjencia e Trajtimit të Pronave ka raportuar për kryerjen e procesit të të trajtimit të pronësisë për dosjet pa vendim që ndodhen pranë institucionit dhe dosjet e reja që u hapen në kuadër të ligjit.
“Për matjen e këtij objektivi është produkti ‘trajtimi i kërkesave për njohje pronësie ndër vite’ ku rezulton të jenë planifikuar dhe realizuar plotësisht 289 raste.
Objektivi i tretë për Agjencinë e Trajtimit të Pronave është shpërndarja e fondit jashtëbuxhetor të miratuar ky produkt matet me numër çështje, 538 çështje të planifikuara janë realizuar plotësisht.
Problematika që duket se ka hasur ATP lidhet me pjesën e detyrimeve të prapambetura. Ato rezultojnë të raportuara në vlerën 217 milionë lekë ndërkohë që në buxhetin e vitit 12 milionë lekë çka ka detyruar Agjencinë të kërkojë shtesë fondesh në Projektin Buxhetor Afatmesëm 2019-2021 që të bëhet shlyerje totale e tyre.
Riorganizimi i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ka përqendruar tenderimet për pajisjet elektronike dhe një seri përgjegjësish të tjera nën këtë institucion çka ka rezultuar në vonesa për disa prej institucioneve dhe në këtë rast edhe ATP nuk ka bërë përjashtim ku bërja e disa blerjeve deri në muajin maj nuk është zhvilluar./Monitor
Fraksion.com