PD, Jorida Tabaku: Dyfishohet taksa mbi ndërtesën
Deputetja demokrate Jorida Tabaku, thotë se që nga shtatori 2013 ka vetëm një lajm të sigurtë, taksat rriten çdo vit, por rritje pagash e pensionesh nuk ka.
Në këtë linjë ajo ta se sa herë që Rama përbetohet se 97% e shqiptarëve paguajnë më pak, aq herë ai gënjen dhe, po aq herë, ai u vjedh shqiptarëve para nga xhepat e tyre duke shpikur taksa dhe tarifa.
Sipas saj, barrës së rëndë të taksave të rritura iu shtua këtë vit TVSH-ja për biznesin e vogël, por edhe taksa e rritur për pronën.
“Sot, një biznes paguan mesatarisht 230 mijë lekë më shumë taksa për pronën sesa katër vite të marra së bashku. Një biznes në qytetin e Tiranës për vitin 2018 paguan taksë prone të rritur nga qeveria socialiste, 510 mijë lekë ndërkohë që nga viti 2015 e deri në vitin 2017 taksa e pronës në total kishte vlerën e 282 mijë lekëve. Siç edhe duket qartë, një biznes për një hapësirë prej 20 metra katrorë pagesa i është dyfishuar. Në vitin 2015 paguante prej 56 mijë lekë, ndërsa sot, për të njëjtën godinë, paguan 128 mijë lekë”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate deklaroi se mbi 100 mijë biznese vuajnë sot dyfishimin e kësaj takse, ndërkohë që nga viti 2015 pushteti i bashkisë Tiranë ka përdorur të gjitha format për të rritur jo vetëm taksat e tarifat, por edhe çmimin e ujit.
Po ashtu nënvizoi se në katër muaj, 5834 biznese kanë ulur qepenat dhe se për vitin e shkuar ky bilanc ishte me 3 mijë biznese të mbyllura më shumë se sa ato që u hapën.
Tabaku shtoi se, qeveria e një grushti oligarkësh që, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë, prodhon ligje me emrat e tyre, me rritjen e taksave, merr nga xhepat bizneseve dhe qytetarëve 2 miliardë euro më shumë.
Ajo denoncoi se brenda 5 viteve në pushtet, Edi Rama, që premtoi uljen e taksave për 97% të shqiptarëve, rriti taksën e qarkullimit me 150%, rriti tarifat e arsimit të lartë me 30%, rriti energjinë elektrike me 24% për treçerekun e rriti familjeve, rriti tatimin mbi të ardhurat personale me 23%, rriti tatimin mbi fitimin nga 10% e rriti në 15%.
Deputetja demokrate tha se qeveria dhe Kryeministri Rama e kanë shndërruar mekanizmin e politikës fiskale në një armë me të cilën godasin pa mëshirë biznesin e ndershëm dhe amnistojnë dhe u falin taksa oligarkëve pranë tyre.
Në këtë drejtim nënvizoi se, qeveria ka përkëdhelur dhe u ka falur taksat atyre që sot ndërtojnë kullat e betonit në qendër të qyteteve, që betonojnë bregdetin tonë ndërsa godet me kamzhikun e taksave xhepat e tregtarëve dhe biznesit të ndershëm.
Po ashtu tha se sot, qeveria dhe oligarkët kanë krijuar aleancën që punon vetëm në interesin personal. Për to çdo frymë e gjallë e këtij vendi do të taksohet rëndë si e si për të mbushur arkat e tyre personale me paratë e djersës dhe mundit të qytetarëve.
Në emër të PD ajo ftoi biznesin që të denoncojë këtë taksë abuzive, e cila siç tha Tabaku, sot po faturohet në mënyrë afrofe, pa një regjistër pronash.
“Në qendër të platformës tonë është taksa e sheshtë që do t’i japë frymë ekonomisë e do të ndihmojë biznesin e ndershëm të dalë nga asfiksia dhe të rritet pa gjobëvënien e shtetit. Ne qëndrojmë fort për uljen e taksave për çdo qytetar dhe çdo biznes, pasi besojmë se çdo lek më shumë në xhepin e qytetarëve është më i dobishëm sesa në xhepat e qeverisë”, deklaroi në mbyllje deputetja demokrate.
Fraksion.com