AktualitetNATO/BETë fundit

Marrëveshja e mundshme e azilit me BE-në: A është pushteti i Angela Merkel në Gjermani, në dorë të Shqipërisë?

“Shqipëria mund të mbajë Angela Merkelin në pushtet”.

Nën këtë titull, gjermania Deutsche Welle shkruan se Shqipëria mund të shërbejë si një vend pritës i përkohshëm për azilkërkuesit që i drejtohen Bashkimit Evropian. Një zëdhënës i qeverisë austriake thotë për Deutsche Welle se bisedime për qendra të tilla kanë nisur me Shqipërinë dhe me vende të tjera, por përmend edhe Endri Fugën, shefin e Departamentit të Komunikimit në qeveri, që e mohon një gjë të tillë.

Opozita shqiptare, shkruan Deutsche Welle, aludon në anën tjetër se qeveria do të hapë qendra të tilla me shpresën se kjo do ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Sipas Deutsche Welle, Shqipëria gjendet në trajektoren ballkanike dhe ka dalje në Mesdhe. Porti i Durrësit ka kapacitet që të presë një numër të madh individësh që tentojnë të kalojnë detin dhe që mund të përcillen nga anijet e FRONTEX-it. Pasi të kenë mbërritur atje, individët që nuk kualifikohen për azil mund të riatdhesohen, ndërsa ata që e fitojnë azilin, mund të shpërndahen drejt BE-së.

Veç kësaj, Shqipëria nuk është anëtare e bllokut, çka do të thotë se rregullat e Shengenit nuk aplikohen. Vendi nuk është as pjesë e Marrëveshjes së Dublinit që përcakton rregullat e azilit. Sidoqoftë, është anëtar i NATO-s dhe një qendër antiterror është ngritur atje.

Por si mund ta ndihmojë Shqipëria kancelaren Merkel? Në takimin e fundit me kancelarin austriak Kurz, ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehoffer tha se e mbështet idenë e qendrave të pritjes jashtë BE-së. Një marrëveshje e mundshme me Shqipërinë mund të ndihmonte në zbutjen e tensioneve mes kancelares dhe ministrit të saj.

Kjo, nënvizon Deutsche Welle, do të plotësonte kërkesën e Seehofferit që aplikimet për azil të plotësoheshin jashtë BE-së. Kjo do të favorizonte partinë e tij në zgjedhjet e pritshme në Bavari, ndërsa koalicioni qeveritar do të rifitonte stabilitet. Shqipëria po ashtu do të fitonte nga kjo marrëveshje. Duke hapur qendrat e pritjes, thotë Deutsche Welle, ajo do të fitojë mbështetje edhe nga forcat më konservatore të bllokut që janë skeptike për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit./TCH

 

Fraksion.com