AktualitetSportTë fundit

7 detaje që shenjuan javën e parë të Botërorit

Java e parë e Kupës së Botës në Rusi pati nga të gjitha, rezultate befasuese, dramë deri në fund, fitimtarë të minutave të fundit, e padyshim një Cristiano Ronaldo në superformë.

Argëtimi në fushat e blerta nuk ka munguar, përkundrazi ka qenë i shumëfishtë, por ka pasur edhe gjëra që nuk i keni vënë re, ndër të cilat po veçojmë 7 gjëra.

Flokët – Ka raportime se furnizimet me birrë në Moskë kanë qenë të pakta, por a ka ndonjë që të ketë mbajtur statistika për nivelet e xhelit të flokëve të futbollistëve? Berberët padyshim që do të jenë parapërgatitur për fluksin e jashtëzakonshëm të djemve të rinj, secili prej tyre i gatshëm të ofrojë një “produkt” që të tërheqë vëmendjen e kamerave televizive. Në ekipet e Botërorit ka modele nga më fantazueset, por shumica e lojtarëve të Iranit kanë zgjedhur vetëm një model. Edhe modeli i flokëve të Neymarit u bë menjëherë “meme”, aq sa detyroi edhe legjendën e Manchester United, Eric Cantona, t’iu bashkohet shakave në rrjetet sociale me yllin brazilian.

VAR – E çuditshmja këtu ka të bëjë me arbitra të veshur me uniformat karakteristike të tyre, por që nuk shohin “bar” me sy. Ndryshe nga arbitrat e fushave, këta nuk zbresin në parketin e gjelbërt, por qëndrojnë para ekraneve televizive. Por, e vërtetë është gjithashtu se gjyqtarët e VAR-it kanë qenë shumë të ngarkuar në këtë turne, të paktën deri tani. Shumica e vendimeve, në të cilat ata janë thirrur për gjykim, janë duartrokitur. Megjithatë, jo edhe aq shumë nga anglezët apo brazilianët, që kanë pasur pakënaqësira. Si për shembull, diskutimet e opinionistëve të BBC Sport mbi (mungesën e) përdorimin e VAR-it gjatë ndeshjes hapëse të Anglisë ndaj Tunizisë.

Karakteri i trajnerëve të Botërorit – Trajneri i Senegalit, Aliou Cisse u bë protagonist i ëndrrave më të paimagjinueshme të atyre që prodhojnë fotot në lëvizshmëri (GIF) gjatë ndeshjes hapëse kundër Polonisë, të hënën. Reagimi i tij pas golit kontrovers të M’Baye Niang ishte thjesht për të qeshur, por ishte pikërisht pamja e tij në fokusin e kamerave që e bëri të mundur këtë gjë. Që prej atëherë, gjesti i tij është katapultuar në situata të ndryshme. Megjithatë, ai nuk është i vetmi trajner i këtij Botërori që bëhet protagonist i “meme”-ve. Edhe ish-trajneri i Cambridge United, Herve Renard, tashmë në krye të Marokut, ka pasur ndikimin e vet në mediet sociale për shkak të këmishës së bardhë dhe shikimit si Jaime Lannister te “Game of Thrones”.

Vicki Sparks, Alex Scott e të tjera, femrat e Botërorit 2018 – Sparks është gazetare e BBC-së, e cila hyri në histori të mërkurën duke u bërë femra e parë që komentonte një ndeshje burrash për televizionin britanik. Asaj iu bashkua Martin Keoën gjatë fitores 1-0 të Portugalisë ndaj Marokut, të mërkurën, ndeshje që eliminoi ekipin afrikan. Ish-lojtaret e Anglisë, Alex Scott dhe Eni Aluko kishin hyrë më herët në histori edhe si të parat opinioniste femra në një Kupë Bote meshkujsh në televizionet britanike.

Tifozë që pastrojnë stadiumet – Tifozët japonezë dhanë shembullin, ata kolumbianë e ndoqën, ndërsa të fundit që iu bashkuan ishin mbështetësit e Senegalit dhe Uruguajit në këtë gjest tejet të vlerësuar, por që shumëkush mund ta ketë cilësuar si çmenduri. Sigurisht nuk ishin foto thjesht për album, por ndodhi realisht pas vërshëllimës së fundit të arbitrave. Praktika japoneze duket se po përhapet gjerësisht edhe në kombe të tjera, e ajo që mund të thuhet është: sa mirë që po ndodh! Nuk ka asgjë më të mirë sesa një tifoz futbolli me virtyte, që shkon në stadium edhe me një qese mbeturinash.

Futbollistët anglezë, “antikë” jashtë fushe – Duhet thënë se vitet e kaluara, termi “antik” përdorej me konotacion negativ. Por këtë vit, gjëja më skandaloze që ka ndodhur deri më sot me lojtarët e “3 luanëve” është hyrja në një derë ku lexohej dukshëm “nuk lejohet hyrja”. Ky moment kontrovers ndodhi gjatë një transmetimi live të Dele Alli në Instagram… Gjatë kohës së lirë, skuadra e Southgate ka zhvilluar vizita, luajnë “Uno”, tentojnë të hiqen si basketbollistë, e janë parë duke hipur mbi disa njëbrirësh në pishinë. Gjëja më e re për shumicën është fakti se ata po lejohen, e madje edhe inkurajohen, t’i ndajnë momentet e tyre “sekrete” me të tjerët në rrjetet sociale. Trajnerë të së kaluarës kanë qenë shumë më strikt me lojtarët gjatë kohës së lirë të tyre. Por, a mundet që kjo qasje të ndihmojë në ofrimin e performancave më të mira të tyre? Të presim e të shohim…

Festat e grupeve të fansave jashtë stadiumeve – Plazhi i Brightonit, me një amfiteatër romak dhe sheshe është thjesht njëri prej shumë vendndodhjeve në mbarë botën ku tifozët mblidhen për të parë ekipet kombëtare në veprim, përmes ekraneve gjigante. Këto ekrane kanë “mbirë” thuajse kudo dhe fansa me veshje nga më të ndryshmet, si të ishte festa e karnavaleve, i kanë mbledhur komunitetet shumë më pranë njëri-tjetrit për këtë Kupë Bote./TCH

 

Fraksion.com