AktualitetPolitikëTë fundit

Ilir Meta takon “të keqin” e Evropës Viktor Orban: Jemi miq të vjetër!

Prej dy ditësh Presidenti Ilir Meta ndodhet në një vizitë zyrtare në Hungari, ku po zhvillon takime me gjithë krerët e shtetit.

Takimin e fundit Meta e ka patur me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Meta është shprehur i mbresuar nga mbështetja e fuqishme që ka marrë prej tij, për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

“I nderuar të takoja dhe të diskutoja me kryeministrin hungarez, mikun tim dhe të shqiptarëve, Viktor Orban. I impresionuar nga mbështetja e tij e fortë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë. Partnerë në NATO dhe partnerë të ardhshëm në BE. Të dëshiruar ta shohim në Tiranë gjatë Vitit të Skënderbeut”, shprehet Meta.

Kujtojmë që Hungaria ka qenë një ndër vendet që i ka bërë bllokadë mbërritjes së emigrantëve në Europë dhe skeptike për zgjerimin.

Por në deklaratën e dhënë kryeministri hungarez theksoi se marrëdhënia personale e tij me Metën është e rëndësishme që të mbështesë vendin tonë.

“Dëshiroj të shpreh lumturinë tonë për vizitën e Shkëlqesisë së Tij në Hungari, sepse është gëzim dhe respekt të presim Presidentin e Shqipërisë si vizitor në Budapest jo vetëm për arsye politike, por edhe personale, sepse e njohim njëri-tjetrin për më tepër se njëzet vite. Veteranët politikë e njohin njëri-tjetrin shumë mirë. Edhe në politikën moderne marrëdhëniet personale kanë rëndësi. Natyrisht që besimi mbështetet në marrëdhëniet ndër-shtetërore, por ai është i rëndësishëm edhe në marrëdhëniet ndër-personale gjithashtu. Kështu që të dy përpiqemi t’u shërbejmë popujve tanë në mënyrë që të krijojmë marrëdhënie të mira shqiptaro-hungareze.

E sigurova Shkëlqesinë e Tij se Hungaria është një nga mbështetëset kryesore të integrimit perëndimor të Shqipërisë, sidomos të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Hungaria dhe ne personalisht do të bëjmë çdo gjë për ta përshpejtuar atë proces, dhe t’ua bëjmë të qartë udhëheqësve evropianë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë. Nuk është i rëndësishëm vetëm për rajonin, por është bindja ime personale se është i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian, sepse Shqipëria si një vend i ri anëtar, mund t’i japë energji pozitive, ambicie dhe një shtysë të re Bashkimit Evropian, gjëra për cilat patjetër që kemi nevojë.

Prandaj shpresoj se ju do të keni një të ardhme të mirë dhe ne do të kemi gjëra të mira në të ardhmen për të bashkëpunuar mes Hungarisë dhe Shqipërisë, Presidentit i Shqipërisë, Hungarisë dhe udhëheqjes e shtetit”, tha Orban./javanews

 

Fraksion.com