SportTë fundit

Emigrantët, të fituarit e mëdhenj të Botërorit rus

Edhe pse Botërori sapo ka nisur, ka një “ekip përfaqësues” që e ka fituar trofeun e tij. Bëhet fjalë për trofeun e jetës!

Janë të shumtë emigrantët që bëjnë pjesë në 11-she të ndryshme, e që kanë pasur fatin të afirmohen nëpërmjet futbollit. 11 meshkuj, mes miliona e miliona të përzgjedhur, të larguar nga luftrat që e kishin përfshirë globin nga fillimi i viteve ‘90 deri në vitet 2000.

E nëse u hedh një sy ekipeve pjesëmarrëse në këtë Botëror do të arrish të bësh edhe më shumë se një formacion, por në atë më kryesorin mund ta fillosh me portierin Steve Mandanda i Francës, për të kaluar në mbrojtje me nigerianin Victor Moses, kroatët Dejan Lovren e Vedran Ćorluka, dhe Milos Degenek i Australisë. Në mesfushë, Granit Xhaka i Zvicrës, Luka Modriç dhe Ivan Rakitiç të Kroacisë. Për ta mbyllur në sulm me Adnan Januzajn e Belgjikës, Drmiç të Zvicrës dhe Sisto të Danimarkës.

Një formacion që drejtohet nga Vladimir Petkoviç, trajner i Zvicrës. Ky i fundit nuk është një emigrant, por punonte në fondacionin “Caritas” në vitet e luftës në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Sot, këta futbollistë janë të famshëm, të pasur dhe arrijnë t’u sigurojnë familjeve të tyre mirëqënie.

Historia e mbrojtësit australian, Milos Degenek është e ngjashme me lojtarët me origjinë shqiptare të Kosovës që luajnë me Zvicrën.

Milos u lind në Kroaci, në një komunitet që i përkiste Serbisë. Në vitin 1999, kur filloi lufta edhe ai vend u bombardua nga NATO. Një vit më pas, familja e tij udhëtoi për në Sidnej dhe kjo është arsyeja që ai aktivizohet si lojtar i kombëtares australiane.

“Kam parë gjëra që as nuk i imagjinoni dot; dy luftra, uri dhe frikë. Isha 18-muajsh kur familja ime udhëtoi me traktor nga Knini për në Serbi, një udhëtim që zgjati 9 ditë. Gjatë kohës së luftës ishim të detyruar të futeshim nëpër bunkerë, mund të qëndronim edhe dy ditë në errësirë pa ushqim. Por, gjëja më e tmerrshme ishte pasiguria. Nuk e dinim nëse të nesërmen do të ishim gjallë apo nëse e nesërmja do të ishte dita e fundit e jetës. Babai im kishte një mik te ‘Kryqi i Kuq’ dhe ai i tregoi për një projekt që do të çonte emigrantë në Australi. Ai ishte shpëtimi ynë”, thotë Degenek./TCH

 

Fraksion.com