AktualitetPolitikëTë fundit

Balla: Luli si Babalja; Gjermania pro integrimit të Shqipërisë

Seanca e Kuvendit që i paraprin vendimit të vendeve anëtare të BE-së për fatin e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, është shoqëruar me tensionin që është reflektuar në dy muajt e fundit gjatë zhvillimit të seancave plenare.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bllokuar foltoren dhe është shprehur se Gjermani ka vendosur kundër çeljes së negociatave, por atij nga vendi i është përgjigjur kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Me ironi Balla tha se çuditërisht nga Basha sot “nuk dëgjuam diçka për Babalen” dhe iu drejtua ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i thënë se “partia jote degjeneroi dhe e idealeve të dhjetorit degjeneroi në këtë farë feje”.

“Sa për deklaratën e servirur nga kryetari në detyrë i PD, duhet ta them shumë qartë, se mënyra sesi e tha Basha sot vendimmarrjen e koalicionit të madh në Gjermani ka të bëjë me mënyrën sesi e lexon Babalja vendimin për hapjen e negociatave dhe vendimin e kancelares Merkel”, tha Balla.

Për atë që e cilësoi gënjeshtrën e Lulzim Bashës pati një version tjetër, sipas të cilit “Gjermania po e ndjek me vëmendje procesin e negociatave dhe ka të njëjtin pozicion që ka mbajtur edhe për Malin e Zi”.

“Koalicioni i madh në Gjermani mbështet tërësisht hapjen e negociatave dhe Gjermania është promotorja e një mbështetje të madhe për Shqipërinë në Samitin e BE-së më 28 qershor”, theksoi Balla.

Sa i përket bllokimit të seancës nga PD, ai tha se ky është turpi i opozitës dhe “nuk i bën nder Shqipërisë”.

“Të kesh për kryetar Lulin është si të kesh kryetar Babalen. Luli është njëjtë si Babalja. Babales i doli lëngu dhe lëngun Lul nuk ke vend ku ta fusësh më”, tha Balla në fund të fjalës së tij, duke mos kursyer ironinë në drejtim të kreut të PD.

‘Të fala Babales”, ishte përshëndetja përmbyllëse e kreut të Grupit të PS.

Por kryedemokrati ju përgjigj Taulant Ballës duke thënë se ai ka lidhje me trafikun e drogës.

“Zgërdhihuni! Ai që zgërdhihet aty ishte edhe para tre ditësh në Gjermani. Të kanë zbuluar “Toyota Yaris” o zgërdhitës me 1,5 milionë euro të drogës brenda, vazhdo qesh zgërdhitës. Shkonte në Gjermani ju thoshte ne s’kemi probleme, s’kemi drogë, korrupsioni po luftohet”, tha Basha.

 

Fraksion.com