UNHCR: Shqipëria destinacion për refugjatët
Numri i azilkërkuesve në rritje në Shqipëri. Vendi përgatitet të kthehet nga vend tranzit në vend destinacioni për refugjatët.
Po ashtu sipas UNHCR: “Shqipëria, e ka menaxhuar rritjen e numrit të refugjatëve dhe migrantëve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ka respektuar të drejtën për të kërkuar azil”, thotë Komisariati i Lartë për refugjatët i OKB. Përshembull: qeveria shqiptare ka dyfishuar forcat për të siguruar kontrollin paraprak të refugjatëve dhe migrantëve të rinj në krahasim me vitin 2017. Po ashtu janë futur procedura të reja për identifikimin e personave me nevoja të caktuara dhe vlerësuar situatën, sidomos duke ofruar alternativa të tjera nga rrugët e rrezikshme. Qeveria është duke rishqyrtuar koordinimin me ministritë që janë të rëndësishme, si ajo e Shëndetësisë dhe e Ndihmës Sociale.“
Sikurse ve në duke më tej zëdhënësi, UNHCR-ja po drejton procesin për përditësimin e planit përgatitor me agjenci të tjera të OKB-së dhe me shoqata të tjera për çështje të kapacitetit operacional për refugjatët dhe migrantët.
Institucionet përgjegjëse në Shqipëri po ndihmohen nga UNHCR-ja që të identifikojnë reagimin efektiv në rast të rritjes së mundshme të fluksit të refugjatëve, duke siguruar që azilkërkuesit dhe refugjatët të kenë akses në procedurat e azilit, të strehohen në mënyrë dinjitoze, t‘u mbulohen nevojat bazë dhe të kenë mbrojtjen e duhur, sidomos në rastet e grave dhe fëmijëve.
UNHCR-ja shpjegon se vetë nuk ka njohuri për planet e përmendura nga shtypi, për propozime të bëra nga palët austriako – daneze për të rivendosur refugjatë në një vend evropian, por jashtë Bashkimit Evropian, siç është Shqipëria.
Plane për kampe pritëse?
“Asnjë diskutim nuk ka pasur për ngritje kampesh në Shqipëri ose gjetkë,” tha edhe Komisari i BE-së për Migracionin dhe Punët e Brendëshme, Dimitris Avramopoulos pasi doli nga një takim në Bruksel (19.06) me ministrat e Brendshëm të vendeve të Ballkanit.
Po, sot (19.06) duke folur për prioritetet e qeverisë austriake me marrjen e presidencës së radhës të BE-së më 1 korrik, kancelari austriak Sebastian Kurz theksoi në një konferencë të përbashkët shtypi në Vjenë me presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, se temat kryesore do të jenë mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së, migracioni dhe rendi në Evropë. Tajani e quajti migracionin problemin më të vështirë të Evropës aktualisht. Ai mbështet qeverinë austriake në planet për të ndihmuar Ballkanin perëndimor për vendosjen e stabilitetit. “Stabiliteti në Ballkan do të thotë stabilitet në Evropë”, tha ai.
Shtypi austriak ka shkruar disa ditë më parë për bisedime që qeveria austriake është duke zhvilluar me vendet e Ballkanit: Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Kosovën për ngritjen e qendrave pritëse për migrantët e ardhur ilegalisht, që janë futur në Austri dhe kanë marrë përgjigje negative azili, dhe nuk mund të kthehen në vendin e tyre.
Edhe kryeministri danez Lars Lokke Rasmussen, ka folur në fillim të muajit për plane për krijimin e kampeve të tilla, që nuk janë brenda Bashkimit Evropian, por që ndodhen në Evropë. /Aida Cama.DW
Fraksion.com