AktualitetEkonomiTë fundit

Tjetër koncesion në horizont: Shërbimi i kontrollit të instrumenteve matëse, qeveria miraton bonus 10 pikë për një kompani

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure një vendim që i hap rrugë një tjetër koncesioni. Bëhet fjalë për kalimin tek privati i shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm. Vendimi në fakt miraton një bonus me 10 pikë për kompaninë që ka pararaqitur rezultatin  tekniko-financiar e cila është “Noa Control” sh.p.k.

Aktualisht funskionet që pritet t’i kalojnë privatit kryenen sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Kjo e fundit ka për detyrë që të bëjë kontrollin periodik të instrumenteve matëse në tregje dhe jo vetëm. Kompanitë që marrin shërbimin e saj duhet të paguajnë një tarifë që varion sipas llojit të shërbimit.

Miratimi i bonusit për kompaninë Noa Contol në këtë rast nuk do të thotë automatikisht kalim të të drejtës për partneritetin-publik privat. Qeveria do të duhet të hapë një garë normale për kompani të interesuara veçse kompania në fjalë do të jetë e avantazhuar me 10 pikë për shkak të propozimit të pakërkuar të bërë prej saj.  Koncesioni parashikohet që të ketë një afat 20 vjeçar.

V E N D I M

PËR

DHËNIEN ME KONCESION TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT LIGJOR TË INSTRUMENTEVE MATËSE, NËPËRMJET VERIFIKIMIT TË INSTRUMENTEVE SHPËRNDARËSE TË KARBURANTIT DHE GAZIT TË LËNGSHËM, DHE MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe në vijim të nenit 15, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat, miratuar me vendimin nr.575, datë 10.7.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Dhënien me koncesion/PPP të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në cilësinë e autoritetit kontraktues.
  2. Miratimin e bonusit prej 10 (dhjetë) për qind të pikëve për rezultatin tekniko-financiar në procedurën konkurruese, e cila i jepet shoqërisë “Noa Control”, sh.p.k.
  3. Kohëzgjatja e këtij projekti do të jetë 20 vjet, nga data e nënshkrimit të kontratës së koncesionit/PPP.
  4. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.