AktualitetKosovaTë fundit

Thaçi: Koha për marrëveshje historike me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se qëllimi i fazës përfundimtare të bisedimeve me Serbinë është arritja e marrëveshjes ligjërisht detyruese në mes dy vendeve, që do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë, një ditë pasi mori ftesën për një raund të ri bisedimesh në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

Presidenti Thaçi tha se ky do të jetë takim në periudhën e re të bisedimeve me të cilën synohet të përmbyllet ky proces.

“Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve që në një mënyrë apo tjetër po zgjasin tash e njëzet vite, që të nënshkruhet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike mbi një shekullore në raportet në mes dy shteteve dhe popujve tanë”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se Kosova nuk ka arsye të frikësohet nga dialogu dhe përfundimi i tij. Ai tha se bisedimet do të jenë të rënda e të vështira pasi që sipas tij synohet një marrëveshje historike dhe politike me Serbinë.

“Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian dhe në paktin NATO. Për të siguruar vendin e merituar të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se edhe në këtë fazë Kosova do të ketë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas tij, janë thellësisht të interesuara për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Duke ju përgjigjur deklaratave të partive opozitare lidhur me mandatin e tij për të udhëhequr këto bisedime, presidenti tha se me kushtetutë dhe ligje e ka detyrim që të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe t’u prijë bisedimeve deri në fund të këtij procesi.

Presidenti Thaçi bëri thirrje për bashkim të partive politike në këtë proces pasi që sipas tij është në interes kombëtar të Kosovës.

“Nevoja për arritjen e kësaj marrëveshjeje i tejkalon mandatet tona politike të përkohshme. Shkon edhe përtej raporteve aktuale midis partive qeverisëse apo opozitare, duke i bërë të papërfillshme lidhjet afatshkurtra në mes të politikanëve dhe partive në Kosovë. Mendoj se një gjë e tillë do ta bëjë këtë proces më transparent, shumë më të besueshëm dhe përfundimisht më të pranueshëm dhe të zbatueshëm në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Kosova në asnjë rrethanë nuk mund të refuzojë dialogun apo negociatat”, tha ai.

Takimi i së dielës në mes të dy presidentëve shihet si një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet fillimisht teknike mes Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011. Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj. Bisedimet e deritashme i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Por ajo vazhdon të jetë e fundit në proceset integruese evropiane.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje. Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë prerazi nga Prishtina.

 

Fraksion.com