NATO, Stoltenberg: Bisedimet me Maqedoninë nisin nga 11-12 korriku
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka njoftuar datën se kur do të merret vendimi i mundshëm për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë, e Veriut tashmë, gjithnjë nëse do të ratifikohet me sukses marrëveshja me Greqinë.
Teksa diskutoi bashkëpunimin e NATO-s me vendet joanëtare dhe zgjerimin e mundshëm, Stoltenberg nënvizoi veçanërisht potencialin për progres në lidhje me marrëdhëniet me Maqedoninë. Kjo, pikërisht për shkak të marrëveshjes së fundjavës së kaluar me Greqinë për çështjen e emrit.
Në përfundim të fjalimit të tij mbi këtë çështje, Stoltenberg ritheksoi rëndësinë e ratifikimit të marrëveshjes. “Mund ta marrim vendimin për hapjen e negociatave, nëse gjithçka shkon sipas planeve në lidhje me procesin e ratifikimit dhe referendumit të mëvonshëm gjatë këtij viti”, tha ai.
Fraksion.com