600 mijë refugjatë në Shqipëri; Reagimi i Ministrisë së Brendshme pas lajmit në median gjermane
Pas lajmit të rrjetit gjerman ZDF, se qeveria shqiptare po përgatitet të presë 600,000 refugjatë sirianë, të cilët pritet të mbërrijnë në kampet e ndërtuara posaçërisht për ta, ka reaguar Ministria e Brendshme.
Sipas sqarimit të MB ndërtimi i kampeve për imigrantë nuk është një çështje në shqyrtim apo në diskutim. Askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk e ka ofruar një gjë të tillë.
Deklarata e plotë:
Nisur nga jehona mediatike e një kronike televizive të rrjetit gjerman ZDF, me qëllim evitimin e spekulimeve dhe keqpërdorimeve të përmbajtjes së kësaj kronike, Ministria e Brendshme sqaron se:
– Ndërtimi i kampeve për imigrantë nuk është një çështje në shqyrtim apo në diskutim. Askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk e ka ofruar një gjë të tillë.
– Thëniet e zv.ministrit Julian Hodaj, të cituara në kronikë janë përgjigjja e një pyetje konkrete:
“Çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence imigrantësh?”
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është ajo që citohet: “Shqipëria e ka treguar gjatë luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca”.
Pra përgjigjja lidhet me një situatë hipotetike emergjence, si ajo gjatë luftës së Kosovës ku pati një angazhim shtetëror e popullor, dhe jo mbi një diskutim nëse një kamp mund të ndërtohet ose jo në Shqipëri.
Fraksion.com