AktualitetKosovaTë fundit

Thaçi konfirmon takimin me Vuçiqin, do të diskutohet edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare

Presidenti Hashim Thaçi ka konfirmuar se me 24 qershor në Bruksel do të takohet me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, raporton Ekonomia Online.

Ai ka sqaruar se do të takohen për të intensifikuar procesin e dialogut për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi  pranuar  ftesën nga zonja Mogerini për  të vazhduar  dialogun  për të shikuar mundësinë e implementimit të marrëveshje të arritura deri tani dhe për të hapur një kapitull të ri drejtë një marrëveshje përfundimtare në mes shtetit të Kosovës  dhe Serbisë”.

“E kemi konfirmuar pjesëmarrjen si  shtet i Kosovës dhe takimi në nivel të presidentëve, do të ndodh të dielën”.

Sipas kreut të shtetit në ditët e ardhshme do të ketë kontakte me miqtë ndërkombëtarë dhe spektrin politik vendor në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur.

“… gjatë orëve të ardhme do të kemi kontakte  me gjithë partnerët ndërkombëtare  dhe të gjithë spektrin politik kosovar dhe  me shoqërinë civile në mënyrë  që  të ndërtojmë një konsensus  sa më të gjerë”.

Paraditen e së martës Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së, dhe ndërmjetëse në dialogun mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, ka bërë me dije se takimi i radhës do të zhvillohet më 24 qershor të këtij viti, raporton EO.

“Përfaqësuesja e Lartë dhe Presidentët do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e normalizimit gjithëpërfshirës të Dialogut, të marrin në konsideratë marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme sikurse edhe do të diskutojnë hapat e ardhshëm duke pasur parasysh periudhën intensive përpara”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Mogherinit.

 

Fraksion.com