AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Durrës: E kthyem turizmin nga një parrullë boshe në një investim strategjik

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me operatorët turistikë në Durrës.

Ai  u ndal te agroturizmi duke thënë se vendi ka potenciale të mëdha dhe theksoi se zonat rurale të Durrësit mund të kthehen në destinacion për këtë lloj turizmi që përkthehet në të ardhura për qytetarët.

“Unë besoj që ne të vazhdojmë, dhe jam i bindur që do të shtohet në atë listën e arsyeve që ju promovoni për të sjellë turistët në Shqipëri, të vazhdojmë me agroturizmin. Zona ka potenciale në pjesën rurale. Ka mundësi tu japim një shans atyre që nuk kanë shtëpinë buzë detit, nuk kanë mundësi dhe akses për tregun bujqësor për shkak të pozicioneve gjeografike, por kanë në dispozicion një bukuri të jashtëzakonshme të kësaj zone, kanë edhe një traditë të bukur që mund ta kthejnë në traditë mikpritjeje të bazuar te suksesi dhe fitimi”, deklaroi Rama.

Rama foli edhe  për investimet e kryera në bregdet, ai tha se në bregdetin e Durrësit nuk derdhen më ujëra të zeza.

“Zhvillimi i turizmit do të sjellë rritjen e të ardhurave dhe rritjen e rrogave. E kthyem turizmin nga një parrullë boshe në një investim strategjik.

“Sot jo vetëm që nuk derdhen më ujërat e zeza në det përgjatë bregdetit të Durrësit, por po bëhet investimi i shumëpritur për ujin, për ujësjellësin. Është një investim i madh që vijon, e ka filluar të japë në fakt rezultate në furnizimin me ujë të gjithë zonës që ka qenë me etje historikisht”, vijoi Rama.

 

 

Fraksion.com