Maqedoni: Debati për marveshjen me tensione dhe protesta
Kuvendi i Maqedonisë pranoi nevojën për miratimin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë. Opozita proteston kundër marrëveshjes. VMRO-DPMNE braktis seancën e kuvendit.
Kuvendi i Maqedonisë pranoi me 69 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim nevojën për miratimin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë. Gjatë leximit të propozimit nga ana e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, deputetët e VMRO DPMNE- së janë ngritur në këmbë dhe kanë kërkuar pushim për të mos arritur në votimin e tij, por ky i fundit nuk ka lejuar një gjë të tillë. Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në arsyetimin e marrëveshjes para deputetëve tha, se me këtë marveshje zhbllokohet procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. “Greqia në bazë të marrëveshjes është e detyruar që pasi të njoftohet, se kuvendi e ka ratifikuar marrëveshjen, të njoftojë presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, se i jep mbështetje nisjes së bisedimeve për anëtarësim. Gjithashtu, në bazë të marrëveshjes, Greqia është e detyruar të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, se i jep mbështetjes dërgimit të ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, deklaroi ministri Dimitrov.
Dragan Danev deputet nga VMRO-DPMNE-ja tha se marrëveshja paraqet “kapitullim” për vendin, mohon identitetin, gjuhën dhe gjithçka që ka të bëjë me kulturën dhe indin maqedon. “Kjo marrëveshje paraqet akt kapitullues. Me këtë ndryshohet identiteti jonë me dëme ta pakthyeshme për të ardhmen tonë. Kjo qeveri kapitulluese po tenton që edhe neve të na përfshijë në këtë akt kapitullues. Kjo marrëveshje është gjenocid modern ndaj shtetit tonë juridik”, u shpreh deputeti i VMRO-së, Dragan Danev.
VMRO-DPMNE braktis punimet e kuvendit
VMRO-DPMNE-ja ka marrë vendim se do ta bojkotojë punën e kuvendit për miratimin e marrëveshjes për çështjen e emrit mes Greqiaë dhe Maqedonisë. Bazë për këtë, siç thotë deputeti i VMRO DPMNe-së Antonio Milloshovski, janë bërë shkeljet normative që ka kryer vet kuvendi në procedurat dhe mbi gjitha vetë marrëveshjen, të cilën ai e quan një kushtëzim nga Greqia dhe jo kompromis siç po e “shet” qeveria.
“Republika e Maqedonisë ka pasur shumë presidentë, Kiro Gligorovin, Boris Trajkovskin, Branko Cërvenkovskin dhe askush nuk ka firmosur marrëveshje të këtillë që e sjell shtetin në gjendje nënshtruese. Kjo është tradhëtia më e madhe e kësaj qeverie”, ka thënë Milloshoski. Me këtë marrëveshje, Maqedonia heq dorë nga sukseset e të gjitha qeverive që ishin kurorëzuar nga 140 vende që na pranuan nën emrin kushtetues, tha deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski
Protesta vazhdon para kuvendit
Debati i së martës (19.06) në kuvend u shoqërua edhe me protesta, të cilat po zgjasin prej pesë ditësh. Protestuesit deri në kalimin e fazës së parë kanë protestuar para kuvendit, ndërsa më pas kanë vazhduar në drejtim të qeverisë. Protestuesit por edhe disa ish-politikanë si dhe drejtues të një partie pro-ruse thonë, se do të përdorin të gjitha metodat për të parandaluar zbatimin e marrëveshjes. Ata po brohoritin “Maqedoni- Maqedoni”, “Dorëheqje”, “Tradhëtar”, “Emrin nuk e japim”.
“Duan të na bëjnë diçka që nuk jemi, duan të na ndajnë nga maqedonasit në shtetet e tjera, duan të na zhbëjnë identitetin, gjuhën, kulturën maqedonase. Por, kjo nuk do të kalojë, pasi jemi ne ata që do të parandalojmë marrëveshje të dëmshme për shtetin dhe kombin tonë”, ka deklaruar Sollza Gërçeva, një nga drejtueset e protestës.
Procedurat e miratimit të marrëveshjes
Pas votimit (19.06) komisioni për çështje evropiane ka dy ditë kohë, respektivisht deri të mërkurën (20.06) në mesnatë për shqyrtimin e marrëveshjes. Pasi të kalojë në Komision, propozim-ligji për ratifikimin e marrëveshjes do të shkojë sërish në seancë plenare për ratifikimin e plotë të tij. Marrëveshja më pas i dërgohet për dekretim presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov, por ai tashmë disa herë ka bërë të ditur, se nuk do ta nënshkruajë një “marrëveshje antikushtetuese, që dëmton rëndë interesat kombëtare të shtetit”. Në rast të refuzimit, marrëveshja sërish kthehet për ratifikim në kuvend dhe sërish i dërgohet për dekretim presidentit, i cili në bazë të kushtetutës është i detyruar ta dekretojë, në të kundërtën bën shkelje ligjore./DW