AktualitetPolitikëTë fundit

E nxorri Veliajn përjashta; PS kërkon shkarkimin e Albana Vokshit

Pas tensioneve të krijuara në Komisionin e Medias, që rezultoi me daljen përjashta nga mbledhja të kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, Partia Socialiste ka kërkuar shkarkimin e Albana Vokshit si kryetare e komisionit.

Në një prononcim për mediat, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se PS-ja po sheh mundësitë që ofron rregullorja për të kërkuar shkarkimin e Vokshit.

Balla tha se ishin 2/3 e deputetëve të Komisionit që kërkuan prezencën e Veliajt dhe Kumbaros në Komision. Balla ka paraqitur dokumentin e procedurës së Komisionit para gazetarëve.

Sipas Ballës, është e papranueshme që një parti politike të dërgojë në Komision deputetë të pajisur me vezë në xhepa për të sulmuar punonjësit e Gardës.

“Sot konstatuam aktin e radhës së thyerjes së rregullores nga një person i propozuar nga PD-ja për të drejtuar Komisionin e Medias dhe Edukimit. Në mënyrë të përsëritur, Vokshi e ka kthyer këtë komision në një mjet personal. Dua të bëj publik dokumentin që 11 anëtarë të përhershëm kanë kërkuar praninë e Veliajt dhe Kumbaros. E falënderoj Veliajn që pranoi të merrte pjesë në Komision.  Ka qenë kërkesë e 2/3 në Komision. Aktorët e SHQUP-it të pajisur me vezë. Klevis Balliu ishte armatosur me vezë në të gjithë xhepat e  mundshëm të pantallonave. Salianji dhe Noka donin të dhunonin punonjësit e Gardës. I bëj thirrje PD-së dhe kryetarit Lulzim Basha të frenojë deputetët e tij nga këto akte të dhunshme. Po konsiderojmë nenet e rregullores për të kërkuar shkarkimin e Vokshit”, tha Balla.

 

Fraksion.com