Thran: Ne duhet të ndalojmë së bëri punën e kosovarëve
Misioni për ndërtimin e shtetit ligjor në Kosovë, EULEX, vazhdon punën me një mandat të ri në rolin konsultues. Për arritjet dhe të ardhmen e këtij misioni flet për DW, zëvendësshef i EULEX-it, Bernd Thran.
Deutsche Welle: Për EULEX fillon një epokë e re mbas 15 qershorit. Me rastin e 10 vjetorit të EULEX-it u bënë bilance të ndryshme, madje edhe negative. Shumë media shkruajtën që „janë bërë vetëm shpenzime”. Cili është bilanci juaj?
Bernd Thran: Unë do të thoja se bilanci është pozitiv. Natyrisht që varet si e shikon. Nëse e shikoni me syrin e kosovarëve, mund të qëllojë që bilanci të jetë negativ. Nga ana tjetër bilanci është pozitiv nëse mendon se shteti i Kosovës ka 10 vjet që ka filluar të ekzistojë dhe e filloi punën pothuajse nga zeroja. Nga zeroja filloi edhe Misioni i EULEx-it. Ai ka qenë misioni më i madh, që BE ka pasur dhe për herë të parë një mision me mandat ekzekutiv.
Deutsche Welle: Megjithatë kur bëhet bilanci pikërisht për mandatin ekzekutiv thuhet, se ai nuk është zbatuar si duhet. Se u identifikuan persona, dhe u bënë arrestime por nuk ndodhi shumë edhe në rastet kur ka pasur akuza konkrete.
Bernd Thran: Po. Ne duhet të kemi parasysh se flasim për një mision të shtetit të së drejtës. Edhe në Gjermani ka raste kur flitet shumë dhe në fund nuk jepen dënime. Si duhet matur suksesi? Duke dhënë dënimet, kur dyshohet se dikush është fajtor, apo duke parë si është ngritur shtetit juridik, ku drejtësia ka rrugën e vet normale deri në dhënien e gjykimit, i cili mund të jetë dënim por edhe lirim? Problemi kryesor i misionit ka qenë që në fillim strategjia e komunikimit. Shpesh për shembull, u fol për peshqit e mëdhenj, “EULEX-i do vijë të kapë peshqit e mëdhenj dhe do t’i dënojë”. Këto thënie, që kanë ardhur nga jashtë EULEX-it, nuk janë komunikuar mirë. Sepse në një fushë të tillë nuk mund të flasësh për “Peshq të mëdhenj”, që do nxirren para gjyqit dhe do të dënohen. Dënimi ka të bëjë me dëshmitë, faktet që duhet të jenë të mjaftueshme për të dhënë dënimin.
Deutsche Welle: A nuk mund të vazhdohej mandati siç ishte për t’i mbyllur shumë çështje dhe për t’u marrë edhe me peshqit e mëdhenj? Apo nga ana tjerër, a nuk mund t’i jepej fund krejt misionit?
Bernd Thran: Pyetja e pare që bëhet është çfarë ndryshimi mund të bëjmë në Kosovë, nëse vazhdojmë me të njëjtin mandat? Ose çfarë do të ndodhë nëse e ndryshojmë? Unë mendoj se ne kemi pasur 10 vjet këtë mandat ekzekutiv dhe gjykatësit tanë, prokurorët dhe policët kanë bërë punë shumë të mirë. Sidoqoftë në sektorin e drejtësisë penale janë dhënë 479 dënime për çështje korrupsioni, kriminalitet të organizuar, larje parash, krime lufte dhe në sektorin civil ka pasur 42 mijë raste. Pra, në pjesën ekzekutive të misionit është bërë diçka, dhe kjo duhet vlerësuar. Sidoqoftë ne kemi ardhur në një pikë ku duhet t’i dorëzojmë detyrat më shumë tek autoritetet lokale, që do të thotë, institucionet lokale të drejtësisë duhet të punojnë me rastet dhe t’i mbyllin.
Deutsche Welle: A mendoni se institucionet lokale dhe organet ekzekutive të drejtësisë në Kosovë janë në gjendje të punojnë në mënyrë profesionale dhe të pavarur?
Bernd Thran: Ato duhet të vendosen në gjendje që të veprojnë në atë mënyrë. Në të kaluarën organet ekzekutive gjithnjë thonin për rastet e vështira që mund t’i kalojnë EULEX-it. Ky rast është kritik, i rrezikshëm ne nuk duam të merremi me këtë. Është më mirë nëse e bën EULEX-i. Kur diçka nuk shkonte në rregull atëherë ishte EULEX-i, që ishte marrë me të dhe jo institucionet lokale. Përgjegjësia mund t’i lihej EULEX-it. Ne mendojmë se shtetet anëtare duan të thonë me mandatin e ri, që kemi ardhur në atë pikë ku duhet të mos vazhdojmë të bëjmë punën e kosovarëve. Kështu që tani puna kalon në institucionet kosovare dhe ne do të vazhdojmë me mbështetje dhe ndihmë në mënyrë që të mos marrë drejtimin e gabuar ajo ç’ka është arritur.
Deutsche Welle: Zoti Thran, a mund të tregoni si do të jetë misioni në të ardhmen, volumi dhe si do të pajiset ai?
Bernd Thran: Me vendimin e Këshillit Evropian, ne kemi marrë një mandat që deri nga 15 qershori i këtij viti deri më 14 qershor 2020, pra një mandat dyvjeçar. Misioni do të ristrukturohet për here të parë krejtësisht. Ne do të tërhiqemi nga pjesa ekzekutive, ne nuk do të angazhojmë më gjykatës, prokurorë dhe polici për të përpunuar rastet ekzistuese ose për të marrë raste të reja. Ne do të kemi mandat në përforcimin e punës në mbështetje të institucioneve kosovare në punën e tyre.
Deutsche Welle: Mbështetje në kuptimin e këshillimit?
Bernd Thran: Po, ashtu është. Në kuptimin e këshillimit në sektorët e drejtësisë penale dhe kryerjes së dënimit, sepse atje janë parë deficite të mëdha. Këto janë sektorët e vetëm ku ne do të ushtrojmë aktivitetin tonë. Monitoruesit tanë do të shkojnë në burgje dhe do të japin këshilla. Pastaj do të merremi me rastet që jemi duke dorëzuar tani dhe janë raste delikate për Kosovën. Kjo është një nga arsyet pse gjykatësit dhe gjykatëset e EULEX-it janë përfshirë në to. Ne do të vazhdojmë t’i shoqërojmë këto raste. Dhe me të ashtuquajturën „exchange of letters”, kemi bërë të mundur që këshilltarët tanë të mund të shkojnë edhe në zyrat e gjykatësve dhe prokurorëve, të shohin faktet për rastet dhe në rast nevoje dhe të këshillojnë gjykatësit dhe prokurorët se ku mund të bëhen përmirësime, ku ka gabime. Pra kjo bëhet me monitorim, gjë që ne e njohim dhe çfarë për shembull bën OSBE, me vëzhgim dhe përpunim të rasteve në sallat e gjyqit, që janë të hapura për publikun.
Deutsche Welle: Rastet delikate janë rastet e krimeve të luftës?
Bernd Thran: Ato janë kryesisht krime lufte, por edhe raste korrupsioni në nivel të lartë.
Deutsche Welle: Atëherë do të kemi vazhdimin ose në fakt fillimin e punës së Gjykatës Speciale? Kjo për shembull ka qenë një nga gjërat që është zhvilluar ngadalë.
Bernd Thran: Kjo Gjykatë është ngritur sipas ligjeve kosovare. Aty punojnë gjykatës ndërkombëtarë, por ligjet janë kosovare. Në mandat bën pjesë sigurisht edhe mbështetja e Gjykatës në Hagë në detyrat e saj kryesore, që janë sigurisht në fushën e mbështetjes operacionale, që është po ashtu e lidhur me aktivitete ekzekutive. Kjo do të thotë se nëse është e nevojshme ne do të kryejmë edhe operacione në kuadër të gjykatës në Hagë të ngritur sipas ligjeve kosovare.
Deutsche Welle: Zoti Thran, cili është kontributi gjerman në misionin e ardhshëm?
Bernd Thran: Shpresoj që Gjermania ta mbështesë misionin si deri tani. Unë do të vazhdoj në këtë detyrë deri në fund të vitit. Ne jemi 18 punonjës policie dhe 12 civilë nga Gjermania. Kështu që pas Polonisë, ne jemi kontigjenti i dytë më i madh që mbështet misionin në Kosovë.
Deutsche Welle: Polonia ka kontigjentin më të madh në EULEX?
Bernd Thran: Po, Polonia ka kontigjentin më të madh. Kjo për faktin që sektori operacional, pra masat operacionale ofrohen nga Polonia. Polonia pra ka një trupë me 100 forca policore, që kryejnë rolin e „second responder”. Që do të thotë ne kemi ngritur një sistem sipas të cilit policia kosovare reagon e para kur ka shkallëzime të dhunës. Nëse ajo nuk do të ishte në gjendje të merrej me incidentin, atëherë vjen trupa nga EULEX-i. Nëse edhe ajo nuk është në gjendje atëherë ne thërrasim KFOR.
Deutsche Welle: A ka EULEX-i prezencë në kufirin e Kosovës me Serbinë në veri?
Bernd Thran: Prezenca e EULEX-it do të jetë sporadike në sektorët e mbështetjes së dialogut midis Prishtinës dhe Kosovës. Nëse nevojitet ndihma jonë, ne do të dërgojmë monitoruesit tanë në pjesën veriore në të dy pikat e kalimit. Përndryshe, deri sa zyra e BE-së në Prishtinë ka si detyrë mbështetjen e dialogut, tre monitorues do të qëndrojnë në stacionin policor në Mitrovicë, për të mbështetur krijmin e kësaj njësie.
Fraksion.com