Teatri, Veliaj dëgjesa e dytë: Fftoj artistët të negociojmë për detajet
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka vijuar dëgjesat për Teatrin Kombëtar. Pas takimit me artistët, Veliaj po zhvillon dëgjese me arkitektët dhe urbanistët për t’i dhënë Tiranës një Teatër Kombëtar dinjitoz
Veliaj tha se pas takimit me artistët palët kanë ulur tonet dhe i ftoi ata për të negociuar për detajet. “Falenderimi i parë për komunitetin e artistëve. Kemi ulur tonet dhe po kuptojmë që kjo tavolinë dhe ajo përpara përfaqëson ajkën e qytetit. T’i largohemi vulgaritetit. Kishte konsensus më shumë se ç’ mendoja. Ideja është të kemi një teatër të ri, detajet janë pjesë e negocimit. Falenderoj komunitetin e artistëve, e di kush ka background politik, nuk jam naiv por pjesa dërrmuese është larguar nga politika. Ndaj kanë të gjithë mirënjohjen time artistët dhe pres nga ata një përgjigje që të caktojnë dhe ata një apo dy përfaqësues për negociim. Kur mendojmë se vokacioni ynë i parë është ai i qytetarit bëjmë gjëra të mrekullueshme. Edhe ata do ta gjejnë të dobishme këtë dëgjesë sot”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku bëri të ditur se seria e dëgjesave do të vazhdojnë dhe me grupet e tjera të interesit.
Kreu i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu tha se tashmë janë kryer disa analiza brenda ambienteve të godinës së Teatrit. “Objekti lë për të dëshiruar. Teatri është jashtë kushteve teknike. Nuk ka dhoma veshje, mungon hapësira. Ose duhet të vihet dorë, ose të largohemi nga ky objekt, pasi paraqet rrezikshmëri të lartë”, tha ai.
Nisur nga kushtet në të cilat gjendet objekti i Teatrit Kombetar, Hysenlliu tha se duhet të ndërpritet aktiviteti i tij dhe të rrafshohet
“Për ne ai objekt duhet të rrafshohet dhe të ndërtohet me ato kushte teknike që duhet sipas standardeve të nevojshme”, u shpreh ai.
Sa i takon mundësisë për restaurimin, ai tha se kostoja në këtë rast do të ishte shumë herë më e lartë se ajo e ndërtimit, pasi “Nëse bëhet fjalë për rikonstruksion duhet të ndërhyhet në masën 90 %”.
Fraksion.com