AktualitetEkonomiTë fundit

Ringjalljet industria minerare dhe naftës: Rrit eksportet me 18 % në 5-mujor; Frenohet rritja e tekstilit

Eksportet shqiptare rriten ritmet sërish gjatë muajt maj me rreth 24 për qind më shumë se një vit më parë prej ringjalljes së shitjeve nga industria minerare.

Eksportet e grupit “minerale dhe lëndë djegëse” ishin 29 për qind më të larta  në 5 mujorin e parë të vitit. Burimet zyrtare nga Ministria e Energjetikes pohuan se eksporti i mineraleve është rritur për shkak të ngritjes së një uzine për pasurimit e bakrit në zonën e Mirditës. Kjo ka ndikuar në që bakri të shitet kundrejt një vlerë më të lartë ketë vit. Gjithashtu të njëjtat burime me dije se çmimi i kromit në tregun ndërkombëtar është rritur dukshëm këtë vit duke sjellë fitime më të lartë.

Shitjet jashtë vendit në këtë grup u nxiten edhe nga eksportet e energjisë elektrike si pasojë e reshjeve të bollshme dhe rritja e eksporteve të naftës nga kompania Bankers si pasojë e  mbylljes së ARMO-s. Burimet zyrtare nga kompania Bankers pohuan se, gjatë janar-maj 2018 kompania ka eksportuar jashtë vendit 34% më shumë sasi naftë bruto se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Vetëm gjatë muajit maj Bankers ka eksportuar 55% më shumë kundrejt majit 2017. Megjithëse në total prodhimi i naftës nga Bankers në fushën e Patos-Marinzës është reduktuar kundrejt vitit 2017, faktori kryesor që ka çuar në rritjen e sasisë së eksporteve është mbyllja e rafinerisë së Ballshit. Si pasojë i gjithë produkti është shitur jashtë vendit. Nëse 1 vit më parë Bankers shiste gjysmën e prodhimit brenda vendit dhe gjysmën tjetër e eksportonte, në janar-maj 2018 e gjithë sasia është eksportuar.

Një tjetër faktor që mund të ndikojë edhe më shumë në ndryshimin e vlerës së eksporteve është çmimi i Brent, I cili është rritur me mbi 50% kundrejt vitit 2017 ( 51 USD në maj 2017; 77 USD në maj 2018).

Nga ana tjetër materialet e ndërtimit ishin grupi i dytë, i cili pësoi rritje të fortë të eksporteve me 28 për qind, si pasojë e rritjes së shitjeve në Kosovë nga Ndërtimi i Autostradës së re-Prishtine-Shkup, punimet e së cilës janë në kulm.

Tekstilet dhe këpucët që janë motori i eksporteve shqiptare kanë frenuar rritjen më tej gjatë muajit maj. Sipas të dhënave të INSTAT ato u rriten me vetëm 4.8 për qind. Vitin e kaluar eksportet e tekstileve janë rritur me ritme dyshifrore.  Të kontaktuar nga Monitor, eksportuesit pohuan se kërkesa nga partnerët është e lartë dhe ata kanë pasur rritje të kërkesave në sasi  mbi 20%, por problemi është te zhvlerësimi i euros, që po sjell më pak të ardhura për ta. Për 4 mujorin rritja e eksporteve është ngadalësuar në 10%, duke arritur në 41.1 miliardë lekë.

 

Ecuria e tregtisë

Në muajin Maj 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Maj 2017 janë: Italia me (3,2 %), Kosova me (37,0 %) dhe Spanja me (132,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina me (-18,4 %), Suedia me (-0,6 %) dhe Turqia me (-4,1 %) .

Gjatë këtij pesëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (5,9 %), Spanja me (99,5 %) dhe Kosova me (5,8 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kina me (-26,2 %), Rumania me (-3,3 %) dhe Hungaria me (-11,5 %).

Në muajin Maj 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Maj 2017, janë: Italia me (3,0 %), Kina me (9,7 %) dhe Spanja me (36,9 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Greqia me (-2,5 %), Turqia me (-20,5 %) dhe Gjermania me (-10,1 %).

Gjatë këtij pesëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: italia me (4,0 %), Gjermania me (2,7 %) dhe Turqia me (1,4 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Serbia me (-16,6 %), Shtetet e Bashkuara të Amerikës me (-1,3 %) dhe Egjipti me (-19,1 %)./Monitor

 

 

Fraksion.com