AktualitetBota+Të fundit

PayPal: Njerëzit preferojnë ende paranë e gatshme për pagesë

“Konkurrenca është paraja e gatshme. Nuk ka të bëjë me krahasimin në bazë të volumit, aktualisht mbizotëron paraja fizike”, tha ai.

Vitin e kaluar, një studim i firmës së konsulencës ‘Capgemini’ dhe bankës më të madhe në Francë ‘BNP Paribas’, parashikoi se deri në vitin 2020, njerëzit në të gjithë botën do të zhvillonin rreth 726 miliardë transaksione, duke përdorur teknologjinë e pagesave dixhitale.

Studimi zbuloi se tregjet në zhvillim pritet të nxisin trendin. Zhvillimet në teknologjitë e reja, si kartat bankare pa kontakt dhe realiteti i shtuar, do të nxisin transaksionet ‘pa para në dorë’, në të ardhmen. Megjithatë, studimi theksoi, gjithashtu, se paraja e gatshme mbetet metoda kryesore e pagesave.

Më herët gjatë vitit, një studim i PayPal tregoi se paraja e gatshme është ende ‘mbreti’ i pagesave në Azi, përveç Kinës, ku shumica e të intervistuarve u përgjigjën se preferojnë pagesat dixhitale.

Banka Qendrore Evropiane bëri të ditur në një raport se shumica e njerëzve në Eurozonë kanë përdorur para të gatshme për të paguar për mallra dhe shërbime, kryesisht për produktet me vlerë të ulët, poshtë 15 eurove. Megjithatë, në vitet e fundit, forma të reja të pagesave në rrjet janë zhvilluar, përfshirë portofolat në celularë dhe kriptovalutat. Sipas ‘PayPal’, zëvendësimi i parasë së gatshme do të kërkojë kohë dhe do të jenë njerëzit që kanë lindur pas vitit 1980 që do ta drejtojnë këtë ndryshim.

“Mënyra primare e bashkëveprimit të tyre me çdo gjë në botë është dixhitale”, tha kreu i teknologjisë së ‘PayPal’.

Ai shton se paraja e gatshme do të vazhdojë të mbizotërojë edhe për disa kohë, veçanërisht në tregjet në zhvillim, pasi nuk është ende e lehtë për t’u pajisur me karta të debitit dhe kreditit. Megjithatë, nxitjet nga qeveritë dhe disponueshmëria e platformave të mira të pagesave digjitale mund të shtyjnë më shumë njerëz drejt transaksioneve dixhitale.

Ekzistojnë tri gjëra që kompanitë e pagesave duhet të arrijnë për të bindur njerëzit që të zëvendësojnë paranë e gatshme me metoda dixhitale.

Sipas ‘PayPal’, siguria vjen në vend të parë, ndjekur nga privatësia dhe besueshmëria. Me para fizike, pjesa më e madhe e transaksioneve ndodhin në mënyrë direkte, nëpërmjet blerësit dhe shitësit e për rrjedhojë, pagesa është e sigurt dhe private. Por, nëpërmjet pagesave dixhitale, përdoruesit kërkojnë të dinë nëse paraja e tyre është e sigurtë dhe se mënyra se si shpenzohet është private.

Sipas ekspertëve, një shërbim i besueshëm i pagesave përbën një avantazh konkurrues për kompanitë dhe se konsumatorët do të bëjnë gjykimet e tyre, bazuar në lehtësimin e përdorimit, performancës dhe rrjetit. Transaksionet fiktive në rrjet, depërtimi në të dhënat dhe çështjet e privatësisë do të ‘gërryejnë’ besimin e përdoruesve në pagesat dixhitale dhe shërbimet e tjera të teknologjisë financiare. Krerët e kompanive të procesimit të pagesave thonë se shumë firma të teknologjisë financiare i nënvlerësojnë çështjet që lidhen me rregullimin, riskun dhe përputhshmërinë. Kjo mund të rrisë rrezikun e sulmeve kibernetike, ku besimi i konsumatorit do të thyhet përfundimisht.

Një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore ka treguar se përdorimi i parasë fizike bart një kosto prej rreth 1.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ekonominë shqiptare. Në raportin e saj për vitin e kaluar, Banka Qendrore nënvizon se ekonomia shqiptare ngelet ende e karakterizuar nga një përdorim shumë i lartë i parasë së gatshme.

Nga studimi, rezulton se mbi 99 për qind e pagesave të pranuara nga bizneset e anketuara janë në para fizike, ndërsa 66 për qind e pagesave të kryera nga vetë bizneset për palët e tjera janë në cash. Gjithashtu, 96 për qind e pagesave të kryera nga konsumatorët rezultojnë në para fizike.

Banka e Shqipërisë vlerëson se përdorimi i parasë fizike në ekonominë shqiptare është një fenomen mbizotërues, që mbart kosto të larta për aktorët e ndryshëm dhe ekonominë në përgjithësi.

Bashkërendimi i përpjekjeve në nivel tregu për nxitjen e përdorimit të instrumenteve sa më efikase përbëjnë një nga prioritetet e Bankës së Shqipërisë. Më gjithë peshën ende të ulët, pagesat në distancë po ndjekin një tendencë pozitive. Vitin e kaluar pagesat nga shtëpia përmes internetit dhe telefonit u rritën me 26 për qind, ndërsa vlera e këtyre transaksioneve u rrit me 60 për qind, krahasuar me një vit më parë. /Scan

 

Fraksion.com