Kupa Botërore e Futbollit dhe qasja kulturore
Në kulmin e festimeve që shoqërojnë Kampionatin Botëror të Futbollit, tifozë nga e gjithë bota vazhdojnë të mbërrijnë në Rusi. Shumë prej tyre e vizitojnë këtë vend për herë të parë dhe vijnë nga vende të largëta si Amerika e Jugut, Afrika dhe Azia. Vendasit thonë se tifozët i kanë transformuar tashmë qytetet e tyre.
Moska ngjan me një mozaik botëror festimesh. Rrugët rreth Kremlinit, nën masa të rrepta sigurie, janë transformuar në skena të shfaqjes së pasionit latin dhe ritmit afrikan.
“Gjithçka është e re për ne, kulturë e re, gjuhë e re dhe është shumë e vështirë të komunikosh. Por ne jemi shumë të ngazëllyer”, thotë Catarina Tejada tifoze e Kolumbisë.
“Njerëzit janë shumë të mirë dhe gjithçka duket shumë bukur”, thotë Salah tifoz i Egjiptit.
“Jemi të gjithë të bashkuar, amerikanë, evropianë, aziatikë. Të gjithë bashkë!”, thotë Jorge, tifoz i Meksikës.
Vendasit po shohin për herë të parë një gjë të tillë.
“Të gjithë janë shumë miqësorë me njëri-tjetrin. Kjo është një atmosferë feste, një ngjarje e jashtëzakonshme, më e bukur se festimet për Vitin e Ri!, thotë Natalya tifoze e Rusisë.
Disa kanë ardhur në Rusi, edhe pse vendet e tyre nuk janë kualifikuar për në botëror, sikurse 12-vjeçari Abdul Jabar nga Sudani.
“Përshëndetje! Jemi këtu në Moskë, koha është e mrekullueshme!”
Nigerianët që jetojnë në Rusi, organizuan një festë mikpritëse për tifozët udhëtues.
“Do ta fitojmë kupën, jam optimist!”, thotë Ennie Charles tifoze e Nigerisë.
“Ata festojnë në maksimum. Ky është rezultati kur nigerianët bëhen bashkë. Atyre u pëlqen të kërcejnë”, thotë Anthony Abugu, nigerian që jeton në Moskë.
Pas festës, pak kulturë. Sistemi i dekoruar i metrosë së Moskës është një kaleidoskop i ngjyrave të ekipeve, ndërsa vizitorët eksplorojnë qytetin. Rusia është e etur të tregojë atraksionet e saj kulturore, prej galerive të artit të Shën Petërburgut, tek trashëgimia islame më pak e ekspozuar, në qytetin pritës të Kazan-it.
Mijëra vullnetarë janë në dispozicion për të ndihmuar vizitorët, sikurse Julia, e cila flet spanjisht dhe do që gjithçka të shkojë qetë.
“Nuk ka situata të pamundura. Duhet vetëm të qetësohesh një sekondë, të mendohesh dhe ta zgjidhësh”, thotë Yulia nga Shën Peterburgu.
Por nëse humbisni, këshilla ndoshta më e mirë do të ishte: ndiqni zhurmat e gëzueshme.