Kosovë: Ushtria vetëm përmes Kushtetutës
Ambasada e SHBA-së dhe ajo e Gjermanisë thonë se Kosova duhet ta formojë ushtrinë përmes ndryshimit të Kushtetutës, duke e kundërshtuar kështu paralajmërimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për formim të ushtrisë vetëm përmes ndryshimit të ligjeve.
Pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj se ushtria mund të bëhet nëpërmjet ndryshimeve ligjore, bashkësia ndërkombëtare po vazhdon të këmbëngulë se një gjë e tillë duhet të ndodhë me anë të ndryshimeve kushtetuese.
Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Prishtinë kanë thënë për “Zërin” se SHBA-ja përkrah tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura përmes amandamentimit të Kushtetutës.
Njëjtë kanë pohuar edhe zyrtarë të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, të cilët kanë thënë se ushtria duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe në koordinim të plotë me NATO-n, shkruan më tutje “Zëri”.
Pavarësisht kësaj, drejtuesit e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së konsiderojnë se kundërshtimi i ndërkombëtarëve nuk është kategorik sa i përket planit “B” për bërjen e ushtrisë.
Sipas tyre, nëse ushtria nuk bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese, atëherë ajo mund të bëhet edhe nëpërmjet planit “B”, përmes ndryshimeve ligjore.
Fraksion.com