Kosovë: Qeveria kundër qasjes selektive të Brukselit në dialog
Vazhdimin e procesit të negociatave me Serbinë pa trajtimin e Marrëveshjes për energji, Qeveria e konsideron të rënduar dhe të padobishëm.
Refuzimi i Serbisë, si dhe kërkesa e Brukselit që në takimin e radhës të bisedohet vetëm për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kishte dështuar takimin e paraparë të mbahet më 7 qershor, shkruan sot Koha Ditore.
Tani nuk ka një datë se kur do të mbahet takimi i radhës. Por koordinatori i Qeverisë për dialogun teknik, Avni Arifi, këtë të hënë do të raportojë para zyrtarëve të Brukselit në lidhje me marrëveshjet e arritura deri me tani.
Në agjendë do të jetë raportimi për zbatimin e marrëveshjeve së parë, e nënshkruar më 19 prill 2013, si dhe plani i zbatimit të Marrëveshjes së energjisë dhe telekomit. Objekt i raportimit do të jetë edhe Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Marrëveshja për policinë, gjyqësinë, mbrojtjen civile, zyrat ndërlidhëse. Delegacioni kosovar do të raportojë edhe për marrëveshjet e dialogut teknik, të arritura më 2011-2012, disa prej të cilave nuk kanë gjetur zbatim ende në terren.
Fraksion.com