British Petroleum: Rritet konsumi i gazit natyror në nivel global
Konsumi global i gazit natyror është rritur me 96 miliardë metra kub (mmk) në vitin 2017, që është rritja më e madhe pas vitit 2010, flasin të dhënat e publikuara nga British Petroleum (BP).
Raporti për analizë të energjisë botërore, i publikuar më 13 qershor, thekson se viti 2017 ka qenë një vit shpërthyes për gazin natyror, meqë konsumi dhe prodhimi janë rritur dukshëm.
Siç thotë Spencer Dale, shefi i Ekonomisë në BP, faktori i vetëm që ka nxitur konsumin global vitin e kaluar, ka qenë kërkesa e madhe që ka ardhur nga Kina, më saktësisht një rritje me 15 për qind të kërkesës për gaz.
“Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje të shpejtë mund t’i atribuohet planit aksional mjedisor të shpallur në vitin 2013, i cili caktoi saktë objektivat për përmirësimet në cilësinë e ajrit gjatë pesë viteve të ardhshme”, tha Dale.
Në tregun global të gazit, rritja e konsumit ka qenë e nxitur nga Kina (31 mmk), Lindja e Mesme (28 mmk) dhe Evropa (26 mmk).
Edhe prodhimi global i gazit, vitin e kaluar është rritur me 131 mmk, që është një rritje për 4 për qind.
Sipas raportit në fjalë të publikuar nga British Petroleum, rritja më e madhe ka ardhur nga Rusia, 46 mmk, ndjekur nga Irani 21 mmk.
Raporti në fjalë nënvizon se kërkesa kineze për gaz natyror do të vazhdojë trendin edhe këtë vit, megjithëse nuk do të përsëritet kërkesa që kishte Kina në vitin 2017./AA
Fraksion.com