BE-BERZH, 100 mln euro për turizmin. Përfitojnë bizneset e vogla shqiptare
Bashkimi Europian dhe BERZH do të nisin një program investimesh prej 100 milionë eurosh në zonat turistike të Shqipërisë.
Zëvendëspresidenti i BERZH-it deklaroi në Tiranë se, nga ky fond do të përfitojnë edhe bizneset e vogla të turizmit.
“Ne po përgatisim me qeverinë dhe Bashkimin Europian një program inovativ, i cili do të kombinojë paratë e BERZH dhe BE-së. Do të jetë një program i madh, rreth 100 milionë euro, për të ndërtuar rrugët lokale dhe ujësjellësat në zonat turistike. Por, programi parashikon gjithashtu financime edhe për bizneset e vogla të turizmit, si dhe financon mbrojtjen dhe reastaurimin e trashëgimnisë kulturore dhe asaj natyrore”, tha Alain Pilloux, zv.president i BERZH-it.
Programi do të jetë një financim i përzierë, ku gjysma e parave janë kredi të buta për qeverinë, ndërsa gjysma tjetër grante, pra parà falas.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se këtë javë qeveria do të miratojë edhe uljen e taksave për bizneset e agroturizmit.
Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare përfitoi 1.7 miliardë euro të ardhura nga udhëtimet e shtetasve të huaj, ndërkohë që agjencitë turistike presin që prurjet nga turizmi të rriten sërish këtë vit.
Fraksion.com