AktualitetRajoniTë fundit

Maqedonia dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshjen për emrin

Greqia dhe Maqedonia, ose Maqedonia e Veriut, siç do të riemërohet së shpejti, e zgjodhën rajonin e Prespës për ta nënshkruar marrëveshjen që i jep fund mosmarrëveshjeve gati tridhjetë vjeçare rreth emrit të republikës ish-jugosllave. Ceremonia me mjaft eufori, bashkoi veç zyrtarëve më të lartë qeveritarë të Shkupit dhe Athinës, edhe ata të Brukselit; Komisionerët Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, si dhe zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo e ndërmjetësi Matthew Nimetz kishin ardhur në fshatin e thellë Psarades të Prespës greke ku u nënshkrua marrëveshja e cilësuar nga shumëkush si historike.

Kryeministrat Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev mbajtën fjalime me tone shpresëdhënëse për të ardhmen e fqinjësisë së dy popujve ballkanikë.

Kryeministri Tsipras shprehu mirënjohe për komisionerët dhe ndërmjetësin e bisedimeve të gjata për përkushtimin e tij.

“Duhen lejuar qytetarët e dy vendeve që ta perceptojnë pa paragjykime marrëveshjen”, tha zoti Tsipras, ndërsa shtoi se marrëveshja ndihmon zhvillimin e infrastrukturës midis dy vendeve dhe ndërtimin e mirëbesimit në përgjithësi në rajon.

“Kemi detyrë historike që ta vazhdojmë këtë rrugë dhe jam optimist se do të kemi sukses. Jam i bindur se dy popujt tanë do të bashkëpunojnë për stabilizimin e rajonit”, theksoi Tsipras, ndërsa bëri thirrje që edhe popujt e tjerë të marrin shembuj nga kjo marrëveshje për të lënë kështu mënjanë të kaluarën e hidhur.

“Fati i popujve dhe shteteve tona është shumetnik, siç është dhe në Evropë. Sfidat janë të shumta, por për kapërcimin e tyre duhet ta zhvillojmë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar për të pasur një rrugë të përbashkët evropiane”, tha Tsipras.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e problemit të emrit dhe për partneritetin strategjik midis dy vendeve tona me të vërtetë kemi lëvizur malet,” u shreh kryeminsitri maqedon Zoran Zaev.

Ai shtoi se ky akt solemn paraqet kurorëzimin e të gjitha përpjekjeve. Marrëveshja sjell nisma të cilat me siguri, sipas zotit Zaev sjellin një jetë më të mirë për qytetarët e dy vendeve fqinje.

Me Greqinë ndërtojmë miqësi dhe aleancë. Po ndërtohet një realitet i ri në rajon. Marrëveshja ua hapë rrugën lidhjeve më të fuqishme ekonomike, tha kryeministri maqedonas.

Zaev tha se dëshiron t’u dërgojë një mesazh kundërshtarëve të marrëveshjes në të dy vendet, me ç’rast vetëm një herë përdori fjalën maqedonas gjatë fjalimit 15 minutësh: duke thënë se shoqëria në këto dy shtete, ajo maqedonase dhe greke janë pjesë e vlerave të përbashkëta evropiane dhe njësoj e meritojnë paqen, sundimin e së drejtës dhe lirinë, koncept që kundërshton, siç tha, populizmin dhe frikën.

Nga Psaradesi, qeveritarët grekë dhe maqedonas me miqtë e tyre evropianë dhe ndërkombëtarë shkuan për drekë në Oteshevë të Prespës së Maqedonisë.

Por, marrëveshja e re ka hasur në kundërshti të shumta si në Shkup po ashtu edhe në Athinë, tek opozita e dy vendeve, të cilat e quajnë atë të dëmshme për popujt e tyre, ndërkohë që akuzojnë për tradhëti qeveritë e vendeve të tyre.

Sidoqoftë, Maqedonia sipas shumë njohësve të rrethanave politike, del fituese duke e ruajtur identitetin dhe gjuhën si maqedonase, ndërkaq Greqia nuk humbet asgjë. Territori brenda saj merr garanci me marrëveshjen se fqinji verior, Maqedonia e Veriut nuk ka pretendime territoriale. Monumentet e ngritura viteve të fundit në Shkup, e që asocojnë në historinë dhe kulturën e lashtë greke nuk do të hiqen por do të cilësohen si monumente të trashëgimisë helene.

Maqedonia (e Veriut) mund të presë shumë shpejt ftesën për anëtarësim në NATO dhe hapjen e bisedimeve për integrim në Bashkimin Evropian, pasi parlamenti në Shkup ta ketë miratuar marrëveshjen me Greqinë.

 

Fraksion.com