Gjeopolitika: A do thyejë izolimin e Rusisë Kampionati Botëror?
Fraza “mos e përzieni politikën me sportin” dëgjohet shpesh në rrugët e Moskës këto ditë. Por është e vështirë për t’i shpëtuar rrethanave unike të Kampionatit Botëror të këtij viti. Ndërsa Botërori po zhvillohet në Rusi, vendi mbetet subjekt i një sërë sanksionesh ndërkombëtare pas aneksimit të Krimesë dhe pushtimit të Ukrainës lindore. Presidenti rus Vladimir Putin e sheh Botërorin si një mundësi për ta thyer atë izolim – dhe një shans për të prezantuar një imazh më pozitiv të Rusisë në botë.
Ceremonia e Hapjes – një spektakël gati i përsosur për fillimin e Botërorit në Rusi të enjten. Një fitore 5-0 kundër Arabisë Saudite; mijëra tifozë që mbushin sheshet e Moskës, dhe një ngjarje e transmetuar në ekranet e qindra miliona njerëzve rreth globit.
“Për Putinin ky Botëror është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi ai synon të prezantojë një tjetër pamje të Rusisë, një fytyrë miqësore e të hapur – që teorikisht mund të kishte kontribuar në ndryshimin e imazhit të Rusisë, sikur ngjarjet e mëparshme të mos kishin ndodhur,” thotë analisti Andrey Kolesnikov, i Qendrës Carnegie në Moskë.
Ngjarje që e kanë bërë Rusinë të padëshirueshme në Perëndim: aneksimi i Krimesë dhe pushtimi i Ukrainës lindore në vitin 2014; sulmi vdekjeprurës ndaj avionit Malaysia Airlines MH17, të cilin hetuesit thonë se u qëllua nga një raketë ruse; ndërhyrja në Siri për të mbështetur Presidentin Bashar al-Assad; dhe helmimi i agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij në tokën britanike, për të cilën Londra fajëson Kremlin.
“Mund të shikoni pikët e fituara nga Rusia pas Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2014 në Soçi dhe sa shpejt ata i humbën kur filluan me aneksimin e Krimesë para se të fillonte ceremonia e mbylljes. Pra, ka diçka tjetër në lojë këtu për Rusinë, që është se vendi do të përdorë Botërorin si një shembull i rishfaqjes së tij si superfuqi. Dhe vendet perëndimore, duke marrë pjesë në kampionat, në një farë mënyre po e bëjnë të mundur për presidentin Putin që të bëjë pikërisht këtë” thotë analisti Andrew Foxall.
Për tifozët, gjeopolitika është diçka e largët në krahasim me futbollin dhe festimet. Por për vendet perëndimore që marrin pjesë, kjo paraqet një problem: a do të përdoret Botërori për të shfajësuar sjelljen e Rusisë në arenën globale?
Analistët thonë se do të duhet më shumë se një kampionat futbolli për t’i dhënë fund izolimit të Rusisë.
Për fat të keq, do të duhet shumë punë për të zhbërë gjithçka. Rusia nuk është në gjendje të neutralizojë konfliktin në Donbass të Ukrainës lindore në situatën aktuale politike. Rusia në asnjë mënyrë nuk do t’i rikthejë Ukrainës Krimenë. Është tepër vonë. Rusia nuk është e gatshme të dëshmojë vullnet politik për të mbajtur bisedime serioze me Perëndimin” thotë analisti.
Krahas “diplomacisë së butë” të Kupës Botërore dhe Lojrave Olimpike të Soçit, Putini ka ruajtur popullaritetin e tij përmes fushatave ushtarake në Ukrainë dhe Siri, thotë analisti Foxall.
“Pyetja që lind natyrisht është, ku tjetër?, ose çfarë tjetër?, që do t’i jepte Putinit mundësinë të ruante ritmet e larta të popullaritetit që gëzon aktualisht”.
Kjo pyetje do të vazhdojë të kërkojë përgjigje për shumë kohë pasi tifozët të jenë kthyer në vendet e tyre pas përfundimit të Botërorit pas një muaji./VOA
Fraksion.com