Çështja e emigrantëve trondit koalicionin qeverisës të Kancelares Merkel
Një mosmarrëveshje e thellë për politikën e emigracionit mes Kancelares Angela Merkel dhe ministrit të brendshëm gjerman po rrezikon t’i japë fund koalicionit delikat qeverisës që u krijua më herët këtë vit pas javësh të tëra bisedimesh të vështira.
Qeverisja 13-vjeçare e Kancelares gjermane do të rrezikohet nëse Horst Seehofer, i Partisë bavareze të Bashkimit Social Kristian (CSU) që është pjesë e koalicionit qeveritar, do të sfidojë Kancelaren Merkel duke urdhëruar rojet kufitare gjermane që duke filluar nga dita e hënë të kthejnë mbrapsht emigrantët që mbërrijnë në kufijtë e Gjermanisë.
As Kancelarja dhe as ministri i brendshëm nuk dhanë shenja se dëshironin të arrinin një kompromis. Zoti Seehofer fajësoi për krizën Kancelaren Merkel në komentet dhënë gazetave gjermane, duke thënë se janë pasoja të vendimit të saj të vitit 2015 për një politikë “të kufijve të hapur” që u mundësoi mbi 1 milionë emigrantëve dhe refugjatëve të hyjnë në Gjermani.
Markus Soder, një zyrtar i lartë i CSU-së në Bavari, shkruajti në Twitter: “Duhet më në fund të sigurojmë kufijtë tanë. Kjo përfshin sigurisht refuzimin. Turizmi i azilantëve duhet të marrë fund”.
Analistët thonë se Kancelarja mund të detyrohet ta shkarkojë ministrin Seehofer për rebelimin e tij të hapur, nëse ai vë në jetë planet për mbylljen e kufijve gjermanë, duke shkaktuar kështu edhe rrëzimin e koalicionit qeveritar dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Kancelarja Merkel mendon se refuzimi i papritur i azilkërkuesve në Gjermani, do të shtyjë vendet e tjera të BE-së të ndjekin të njëjtin model, duke rrezikuar kështu marrëveshjen e arritur për të gjithë Bashkimin Evropian. Rreziqet janë të shumta, jo vetëm për Kancelaren Merkel, por edhe për Bashkimin Evropian që po përpiqet të hartojë një politikë të përbashkët emigracioni për të cilën do të binin dakort të gjitha vendet e saj anëtare.
Në fjalën e saj të përjavshme, zonja Merkel pranoi nevojën për ndryshime, por tha se: “Kjo është një sfidë evropiane që kërkon një zgjidhje evropiane. Unë e shikoj këtë çështje si vendimtare për të ruajtur unitetin e Evropës”./VOA
Fraksion.com