AktualitetTë fundit

Transporti urban: Duke filluar nga 1 korriku ndryshon aboneja. Ja çfarë duhet të dini

Kërkesa e kahershme e operatorëve të transportit urban qytetas për abonetë e personalizuara, tashmë është realizuar. Muajin tjetër, formati i biletës së pajtimit mujor do të ndryshojë, duke i shtuar veç të dhënave aktuale edhe fotografinë dhe ID e personit që e posedon.

Nga dje, operatorët e transportit kanë afishuar në mjediset e brendshme të urbanëve njoftimin për formatin e ri bashkë me ato që duhet të kenë me vete qytetarët për të blerë abonenë e muajit pasardhës: kartën e identitetit dhe fotografi personale 2.5 cmx 2.5 cm, që do t’i bashkëngjiten abonesë. Vendimi në fjalë ka ngjallur pakënaqësi te familjet, ku një abone përdoret nga më shumë se një person.

Kujtojmë që korrikun e vitit që shkoi disa nga linjat urbane me qëllim maksimizimin e fitimit morën vetë një vendim të tillë për personalizimin e biletave mujore, por shumë shpejt u tërhoqën pasi u cilësua si abuzive. Një vit më pas, kjo gjë bëhet e ligjshme me një udhëzim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili ka hyrë në fuqi që më 9 maj, ndërsa zbatimi nis nga 1 korriku.

 

abone