AktualitetBota+Të fundit

Stamboll: Gjendja e refugjatëve sirianë

Pas valëve të imigrancionit në Shtetet e Bashkuara, nëpër qytete të ndryshme nga lindja në perëndim, filloi edhe lindja e lagjeve etnike si “Havana e Vogël” në qytetin Miami, “Qyteti Grek” në Çikago, “Sheshi Indian” në Nju Xhersi, “Persia e Vogël” në Los Anxheles si dhe “Qyteti Kinez” apo “Italia e Vogël” në shumë qytete amerikane. Ato janë bërë burim krenarie si dhe rritje ekonomike. Fluksi i refugjatëve siriainë në Turqi ka transformuar një lagje të Stambollit. Por dallimet kulturore mes të ardhurve dhe turqëve lokalë, si dhe shtimi i konkurrencës në biznes ka shkaktuar tensione në qytet, thuhet në një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Rruga “Ziya Ulhak” tani quhet “Rruga Aleppo”. Rruga në distriktin “Sultanbeyli” të Stambollit, tani është strehë e shumë dyqaneve siriane. Sipërmarrësit dhe biznesmenët sirianë tashmë kanë gjetur një vend të ri për të ushtruar zanatin.

Muhamad Halal nga Aleppo shkoi në Turqi në vitin 2014 dhe hapi një dyqan rrobash në distriktin “Sultanbeyli” para gati dy vitesh.

“Nuk kemi probleme me turqit, jemi të gjithë myslimanë dhe vëllezër. Nuk kam patur asnjëherë keqkuptime. Turqia është si vendi ynë.”

Ai thotë se bizneset turke përqendrohen aty ku ka më shumë kalimtarë, dhe dyqanet e vjetra ua lënë sirianëve.

Riparuesi i televizorëve prej 17 vitesh, Erarsaln Aydin, thotë se u detyrua t’ia linte dyqanin një siriani si rezultat i rënies së ndjeshme të biznesit dhe të ardhurave.

“Ky ka qënë dyqani im por tani e kanë sirianët. Pse ? Sepse falimentova. Që kur kjo u bë “Rruga Aleppo” klientët turq nuk erdhën më. U detyrova të ulë qepenat.”

Berberi Osman Oz pajtohet.

“Ndikimi pozitiv i bizneseve siriane ka qënë shumë i vogël, ndërsa ndikimi negativ, tepër i madh. Qeraja kushton shumë dhe janë shtuar kërkesat. Pronarët e ndërtesave përfitojnë nga kjo dhe qeraja na është dyfishuar.”

Por pronarë të tjerë biznesesh thonë se i mirëpresin sirianët në komunitetin e tyre dhe janë të lumtur të shohin bizneset siriane të lulëzojnë. Metin Saygi është pronar dyqani.

“Nuk kemi probleme me sirianët. Përkundrazi, rruga jonë kryesore ka më gjallëri tani që sirianët kanë hapur dyqane. Të paktën fitojnë bukën e gojës. Disa vite më parë kjo ishte një zonë e vdekur. Ka patur shumë dyqane të boshatisura. Me ardhjen e sirianëve qeraja po rritet dhe përfitojnë pronarët. Ka tre vite që kam punësuar një sirian.”

Punonjësi i tij, Mahmoud Abu Muhammed, thotë se u largua nga lufta në Siri në vitin 2013 së bashku me familjen.

“Jam kënaqur që punoj këtu dhe ndihmoj babain me të ardhura shtesë.”

Deri në rikthimin e stabiliteti në Siri dhe kur refugjatët të mendojnë se janë të sigurtë po u kthyen, “Rruga Aleppo” në Turqi i bën ata të ndihen sadopak si në shtëpinë e tyre./VOA

 

Fraksion.com