Kosovë, Hoxhaj: Vrasja e Ivanoviqit dhe kidnapimi i gazetarit serb kanë rrënjët në Beograd
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratave me të cilat presidenti i Serbisë, Vuçiq, fajëson Kosovën për zhdukjen e gazetarit që po e hetonte rastin e vdekjes së politikanit nga Kosova, Oliver Ivanoviq.
Hoxhaj e quajti Vuçiqin mjeshtër të lajmeve të rrejshme, dhe manipulues të publikut. Në një postim të gjatë në Twitter, Hoxhaj tha se akuzat që Vuçiqi ia bën Kosovës janë trillimet e tij të radhës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, ka kërkuar që autoritetet serbe t’i ndajnë me Kosovën dhe t’i bëjnë publike nëse ka fakte të besueshme ku mbështeten këto deklarata.
“Mjeshtri i lajmeve të rrejshme, Vuçiq, e bën atë që di më së miri: manipulon opinionin publik. Kur gazetari që po e hetonte vrasjen e Ivanoviqit tha se u kidnapua në Serbi, Vuçiqi trilloi një storie të re duke e fajësuar Kosovën. Ai pretendon se gazetari ka pranuar thirrje nga Kosova para se të zhdukej në një qytet kufitar në mes të Rumanisë dhe Serbisë. Nëse autoritetet e Serbisë kanë informata kredibile, duhet që të njëjtat t’i ndajnë me Kosovën dhe t’i bëjnë publike. Kidnapimi i Cvetkoviqit dhe vrasja e Ivanoviqit i kanë rrënjët në Beograd”, ka shkruar Hoxhaj.
Hoxhaj ka deklaruar se Vuçiqi nuk do që të zbardhet as vrasja e Ivanoviqit dhe as kidnapimi i Cvetkoviqit, duke shtuar se Vuçiq flet për Kosovën për ta tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme të Serbisë, siç është demonstrata e sotme në Beograd.
Fraksion.com